Ditmar Bicaj, trajneri i Burrelit, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-mbrojtësi është ndalur tek analiza e Superiores dhe sesi e shikon ai luftën në elitën e futbollit shqiptar këtë sezon.
Në veçanti ai ndalet te Vllaznia, duke i konsideruar shkodranët si një nga pretendentët e mëdhenj. Lezhjani si një “ish” i dy skuadrave ndan edhe një parashikim për ndeshjen e javës së 12-të, Vllaznia-Skënderbeu.
Bicaj, sa keni pasur mundësi ta ndiqni Superligën? Si ju janë dukur skuadrat?
Po, e kam ndjekur Superioren dhe mund të them se kam parë një kampionat të luftuar dhe të barabartë deri më tani. Nuk po shoh ende që një ekip të bëjë diferencën, sepse edhe javën para kësaj pamë 4 barazime në 5 ndeshje, duke treguar kujdes dhe ende duhet pak kohë për të parë ekipet të futen në fazën emocionuese të kampionatit.
Ishte Vllaznia mirë, apo Tirana shumë e dobët në ndeshjen e fundit?
Jo, ishte mirë Vllaznia pasi pavarësisht se rezultati në fund ishte 3-4, ishin kuqeblutë që dominuan nga fillimi. Ata e dërguan rezultatin në një moment në 1-4 dhe dëshira e mënyra si interpretuan lojën, bëri që Vllaznia ta meritonte totalisht këtë fitore.