Dy vitet e fundit kanë qenë më të errëtat për të. Si pasojë e një aksidenti të rëndë që pësoi, iu desh të largohej për një kohë të gjatë nga arbitrimi. Pikërisht në kulmin e formës së tij, atëherë kur pretendohej, pse jo të ishte një nga stemat e FIFA-s të futbollit shqiptar. E kemi fjalën për arbitrin shkodran Ditmar Jubica. Ai pas problemeve që pati, iu rikthye gradualisht arbitrimit dhe ndonëse rikuperimi vonoi jo pak, gjithsesi 33 vjeçar nuk e ndali për asnjë moment punën dhe pavarësisht problemeve fizike, arriti t’i sfidonte.

Gjatë këtij sezoni po arbitron në kategorinë e parë të futbollit shqiptar por nga ajo çfarë u konstatua në ndeshjen miqësore Vllaznia- Tërbuni, pamë një arbitër të kompletuar në të gjitha drejtimet. Fizikisht shumë mirë, autoritar në fushë dhe vendimet e tij të padiskutueshme. Me siguri që për një arbitër të tillë ka nevojë Superliga shqiptare. Aq më tepër në këto momente kur ajo po vuan për figura të tilla. Ranglista e arbitrave më të mirë mund të ndryshojë edhe tani përpara fillimit të gjysmës së dytë të sezonit.Futbolli shqiptar ka nevojë për një arbitër si Ditmar Jubica.
© shkodrasport.com