Rocco Vata, ka debutuar në mbrëmjen e djeshme me ekipin e parë të Celtic. Ai është vetëm 17 vjeç por ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Rocco është pjesë e të rinjëve të Irlandës. Ai do të vijë në vendin tonë për të luajtur kundër kuqezinjëve.
Rudi Vata, babai i Rocco Vata në emisionin “Sport Magazine” në “Ora News” që moderohet nga Drilon Xhepollari foli për zgjedhjet e djalit të tij. I ati i Rocco Vatës e vë theksin te pasioni.
Rudi Vata: Gjëja kryesor në futboll është pasioni. Fëmija duhet ta ketë pasion për të ecur para, ata duhet të jenë të lirë dhe jo nën presionin e prindit. Nuk duhet të jetë ajo e ego që fëmija im është shumë i zoti, duhet menduar se ka rrugë akoma përpara. Nëse një fëmijë ka pasion, grintë dhe vendosmëri, nuk ka gjë që e ndalon.
Unë i këshilloj prindërit që t’i lënë të lirë fëmijët e tyre sepse Zoti i jep talent çdo fëmije për të bërë diçka në jetë. Unë mbaj mend si fëmijë kam pasur gjithmonë një plan në mendje. Në kohën time nuk mendoja të shkoja më larg se kapiteni i Shqipërisë, aq ishte maksimumi i ëndrrës time. Mendoja çdo ditë, që nga mosha 10 vjec, çohesha nga gjumi me atë ide dhe mendim për të qenë kapiten i Shqipërisë.
Cilën kombëtare do të dëshironte Rudi Vata që të zgjidhte djali i tij?
Rudi Vata: Kombëtarja që do të zgjedhi Rocco? Unë do të dëshiroja që Rocco të bëhej futbollist i niveleve për të luajtur me Kombëtaren, se është arritje e madhe. Deri tani Rocco nuk është ende në ato nivele, prandaj do të flisnim kot. Objektivi i tij i parë është vazhdimi te Celtic. Kur të vij momenti i Roccos për të zgjedhur Kombëtaren, duhet të pyetet Rocco.
Duhet të kuptojmë diçka. Ka shumë njerëz që paragjykojnë, janë të lirë. Të gjithë prindërit kanë përgjegjësi të kujdesen për zogun e tyre, për produktin e tyre. Fëmija im duhet të bëhet i rëndësishëm në jetë, por duhet të kuptohet se dëshira që kam unë për djalin, është dëshira që kam unë. Unë vendin tim e dua, nuk mund të jem dikush tjetër, pasi Zoti e vendosi që të lindja në Shqipëri.
Rudi Vata duket se është nga ata prindër që zgjedhjen dëshiron që ta bëjë vetë fëmija?
“Unë misionin tim në Shqipëri e kam bërë shumë mirë dhe imazhin e vendit tim e kam përcjellë shumë mirë, jam pranuar në shoqëri të rëndësishme europiane. E kam pasurur sadopak imazhin e Shqipërisë me punën time. Unë duhet të ruaj zogun tim që të ketë jetë të mirë dhe produkt të mirë. Sa i përket zgjedhjes Shqipëri, Skoci apo Irlandë, do të jetë pikëpyetje derisa Rocco të bëhet burrë dhe ta vendosi vetë”, tha Rudi Vata.