Vllaznia do të luaj nesër me Skënderbeun në 13:45. Kryesuesit e Superligës presin në “Loro Boriçi” si kryesues korçarët, teksa në konferencë për mediet ka dalë Drejtori Sportiv, Matko Djarmati.

Kroati ka cekur të gjitha temat, duke treguar emrat e lojtarëve të larguar, bisedimet me emrat e rinj apo objektivat e klubit.

 “Gëzuar Krishtlindjet, shëndeti mbi të gjitha. Probleme me Covidin dhe dëmtimet nuk ka, do jemi gati për nesër”, tha Djarmati fillimisht.

“Skënderbeu? Çdo kundërshtar është shumë i vështirë. Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur, nuk do jetë ndeshja e lehtë. Çdo ndeshje do e marrim si gjithë të tjerat. Do bëjmë analizën e ndeshjes në detaje. Luajmë sport dhe ka tre rezultate, nuk ka fitore 100 përqind. Nëse do ishte kështu nuk do ishte sporti interesant. Kush gabon më pak nesër del fitues.

Afrimet? Për këtë erdha unë sot. Në janar është vështirë të gjesh lojtarë. Nëse ka probleme me klubin ose nuk luan atëherë është i lirë. Minimumi duhet 2 muaj që një lojtar të ambintohet nëse vjen nga tregu i jashtëm. Jemi përqëndruar te tregu ballkanas, këto ide kemi. Lekaj ka ikur pas katër vitesh, ishte I pakënaqur me minutazhin. Është një djalë shumë I mirë dhe nuk ka probleme. I kemi dhënë dorën dhe ka gjetur skuadër të re.

Sidorenco mbaroi kontratën. Mandiagu ka probleme fizike dhe po bisedojmë për të mbyllur kontratën. Për të tjerët deri tani nuk kemi asgjë.

Da Silva? Është një lojtar me kontratë profesioniste dhe çdo lojtar ka pakënaqësi kur nuk është në formacion. Ka bërë tetë ndeshje të mira dhe jemi të kënaqur. Një dëmtim e ka mbajtur jashtë fushës, por prit se ka njerëz që stërviten çdo ditë. Kjo është puna e trajnerit dhe trajneri ja ka shpjeguar lojtarit. Da Silva është në treg, nëse vjen oferta e duhur si çdo lojtar. Nuk e duam larg skuadrës.

Dunga? Në Kenia ca gjëra janë ndryshe. Kishim planifikuar të vinte sot ose nesër. Atje funksionon ndryshe, nuk ka marrë pasaportë në dorë. Sapo ta marrë merr vizën shqiptare.

Gafa me gjenjen e Mandiangu? Është dëmtuar në stërvitje dhe nuk kishim mundësi ta kuronim për katër muaj. Nuk është faji I mjekëve tanë, as mjekët gjermanë nuk ia dolën.

Llullaku? Kemi biseduar, merret sponsori Xhaferi me këto punë. Mos harroni që një ish-lojtar I Kombëtares ka një kosto që për klubin është shumë.

Balaj? Nuk kemi ne mundësi ta sjellim në Shkodër. Sukaj? Sukaj ka një vit e gjysmë që nuk luan futboll, e takoi trajnerin për një drekë si tifoz, s’ka asgjë serioze.

Kupat e Europës? Nëse nuk e kapim do ishte një zhgënjim i madh i imi dhe dështim i ne të gjithëve si staf. Nuk mund të jap një përgjigje se çfarë ndodh, shpresoj të shkojmë në këtë rrugë. Kemi njohur gjithë kundërshtarët dhe mendojmë se do jemi në katër vendet e para”, tregoi Matko Djarmati.