Vllaznia pësoi ditën e djeshme humbjen e parë në këtë sezon të Superiores, teksa u mposht në shtëpi nga Kukësi me rezultatin 2-4. Një disfatë e cila dhemb duke parë golat e pësuar, e kështu shprehet edhe drejtori i shkodranëve Matko Djarmati.

I ftuar në emisionin Fair Play, Djarmati theksoi se një ditë humbja do të vinte, mirëpo nuk e priste në këtë mënyrë.

“Nuk e prisnim që do të mbaronte në atë mënyrë ndeshja me Kukësin. Vërtet e përjetova shumë keq. Një ditë do të humbnim, por nuk e prisnim kështu. Si çdo ndeshje deri tani, ne e kishim përgatitur si duhet. Ishin tre ditë intensive, por në fund nuk arritëm dot të marrim rezultatin pozitiv.

Kemi bërë disa gabime individuale, por ashtu si luajtën çunat deri në fund, jam i kënaqur. Kam parë një lojë cilësore, kishim raste. Kur sulmon me shumë vetë, lë hapësira mbrapa. Më vjen keq që nuk shënuam kur ishim 2-1, pasi do të kishte qenë ndryshe”, u shpreh Djarmati. /VipSport/