Pas humbjes me Laçin, Vllaznia do të tentojë kthesën në Durrës, ku e pret një ndeshje shumë e vështirë me Teutën. Matko Djarmati, i cili te Vllaznia ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te kuqeblutë, beson se mjaft një rezultat pozitiv që skuadra të kthehet si më parë.
Ai pohon në një intervistë për “Panorama Sport” se starti i dobët me Memellin nuk ishte real, ashtu si dhe 12 rezultatet radhazi pozitive me Osmanin. Për Djarmatin, Vllaznia nuk e diskuton 4- shen e parë, ndërsa përcaktimin e titullit me “Final 4” nuk e miraton aspak.
“Kriza e rezultateve të fundit të Vllaznisë? Këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Çdokush që merret me futbollin i kupton këto situata. Unë vetë e kam përjetuar te Vllaznia kur ishim 11 pikë para dhe humbëm për golavarazh titullin. Siç nuk ishte reale ajo nisje me trajner Memellin, me afro 8 rezultate negative, ashtu nuk ishin reale edhe ato 12 rezultate super pozitive në drejtimin e Osmanit. Tani kanë ardhur edhe këto rezultate. Megjithatë, për mua Vllaznia është në atë vend që i takon dhe duhet të jetë.
Nuk e mendoj se Vllaznia do të rrezikojë katërshen. Jo se Vllaznia ka një super ekip, apo luan shumë, shumë mirë futboll, por edhe ekipet e tjera do të gabojnë, siç ka gabuar ajo, kështu që nuk do ta ketë problem për të qenë në katërshen e parë.
Katër vitet e fundit, ku për dy vjet kam qenë edhe unë atje, objektivi ka qenë titulli kampion. Objektivi i parë për të është titulli, objektivi i dytë mbetet Kupa dhe objektivi minimal ka qenë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nuk mund ta them dot, nëse Vllaznia do të jetë kampione. Kush do të jetë më i fortë në “Final 4”, do të jetë kampion”- është shprehur ish- drejtori sportiv i klubit shkodran.