Djelmnia Shkodrane U-17 ka marrë një fitore të “çmendur” 12-2 ndaj Kukësit në takimin e zhvilluar ditën e djeshme. Ekipi shkodran zhvilloi një ndeshje të “çmendur”, duke shënuar as më pak e as më shumë, por 12-gola njëri pas tjetrit, duke arritur në fund një fitore tepër të thellë, ndoshta më të thellën e kësaj akademie deri më tani.
Fillimi i furishëm solli epërsi për Djelmninë Shkodrane, kur Doçaj realizoi pa kaluar 10-minuta lojë. Megjithatë, Kukësi përgjigjet shpejt dhe në minutën e 19-të, barazon shifrat në 1-1 falë një autogoli të Ndrevashajt.
Skuadra e drejtuar nga Arbër Shytani provoi sërish të rikthehej shpejt në avantazh, teksa e gjeti një gjë të tillë kur në minutën e 33-të, Çezma realizoi për 1-2. “Rrëmuja” e golave nuk përfundoi këtu, pasi në fundin e pjesës së parë, më konkretisht në të 43-tën, Çezma shënon sërish për të dërguar shifrat në 1-3 dhe fut të qetë ekipin e tij në dhomat e zhveshjes.
Më pas, në pjesën e dytë, Djelmnia Shkodrane do të shënonte gola pa mbarim, plot nëntë gola. Menjëherë sapo nis fraksioni i dytë, Marshija dhe Plangaj realizojnë dhe dërgojnë shifrat në 1-5. Zhuri dhe Doçaj shënojnë sërish në të 57-tën dhe të 59-tën, duke rritur epërsinë në 1-7.
Ndërkohë, edhe Brojaj realizon një tripletë në minutat 68’, 71’ dhe 72’, teksa po një tregolësh, pas dy të tjerëve në pjesën e parë, do të vinte edhe për futbollistin Çezma menjëherë më pas në të 73-tën, duke dërguar rezultatin në 1-11.
Ndeshja dhe golat për Djelmninë Shkodrane nuk do të kishin mbarim, teksa atë nuk kanë fare mëshirë për Kukësin dhe në të 81-tën, sërish Brojaj realizon golin e 12-të dhe të fundit në këtë përballje për ekipin shkodran. Ndërkohë, Kukësi do të shënonte një gol në të 83-tën, por që vlen thjesht vetëm për statistikë.
Deri në fund, ndeshja nuk pati më ndryshim në rezultat dhe Djelmnia Shkodrane U-17 merr një fitore shumë shumë të merituar, teksa realisht edhe vetë shifrat 2-12 për ekipin e drejtuar nga trajneri Arbër Shytani, nuk lënë shumë vend për koment.
Pas kësaj fitoreje, Djelmnia Shkodrane U-17 kryeson tabelën e renditjes me gjashtë pikë të plota dhe javën e ardhshme, do të ketë derbin shkodran me ekipin e Shkodra U-17, që edhe ajo nga ana e saj ka arritur dy fitore deri më tani në ndeshjet e luajtura. /Maringlen ZHIVANI/
Kukësi-Djelmnia Shkodrane U17 2-12
Golat për Djelmninë Shkodrane: Ndrevashaj (aut) 19’, Axhami 83’ / Doçaj 10’, 59’, Çezma 33’, 43’, 73’, Marshija 47’, Plangaj 49’, Zhuri 57’, Brojaj 68’, 71’, 72’, 81’
Formacioni i Djelmnisë Shkodrane: Tahiri, Kakini, Delaj, Plangaj, Zhuri, Brojaj, Çezma, Doçaj, Uldedaj, Ndrevashaj, Hotaj (u aktivizuan: Preçetaj, Kërrçaj, Behri, Bashku, Marshija) Tr: Arbër Shytani