Barazimi i arritur në Krujë të shtunën që shkoi ndaj Kastriotit vendas, u ka dhënë shumë moral koplikasve. Ato nuk po kalonin një gjendje të mirë si shkak i shumë probleme që skuadra po kalon megjithatë kjo pikë sikur ka rikthyer qetësinë tek Veleçiku. Autori i atij goli ndaj krutanëve ka qenë Ari Djepaxhia, një nga futbollistët më të mirë të këtij ekipi. Duke folur për gazetën në lidhje me këtë takim dhe për golin e shënuar, ai do thoshte:
“Ishte një barazim shumë i rëndësishëm për ne sepse vinim pas disa rezultatete rresht negative por ne gjetëm forca për të reaguar dhe besoj se kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë duke marrë edhe një barazim që do na vlejë shumë për të ardhmen. Goli që shënova unë erdhi si rrjedhojë e lojës së mirë që zhvilluam. Ndjehem mirë që e gjeta sërish rrugën e rrjetës e për më tepër që ai gol i vlejti ekipit”. Ky ka qenë goli i dytë i Djepaxhisë këtë sezon me fanellën e Veleçikut pasi të parin e kishte shënuar për kupë me Besën. Me këtë skuadër koplikasit do të ndeshen edhe këtë fundjavë dhe natyrisht që objektivi do jetë për fitore sërish. Siç dihet, në ndeshjen e kupës, Veleçiku arriti të shkaktonte suprizën e madhe duke e eliminuar Besën në turin e parë. Por a do ndodhë që ajo ta mundë sërish këtë kundërshtar? Djepaxhia thotë se mundësitë janë. Nisur natyrisht edhe nga përballjet e mëparshme për kupë me të. “Jemi ndeshur dy herë me këtë ekip në takimet e kupës dhe kemi arritur ta eliminojmë. E njohim mirë Besën dhe nuk ka arsye pse të mos mendojmë ta mundim edhe këtë herë. Ne duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë që po kalojmë pas barazimit në Krujë dhe kuptohet që objektivi jonë është vetëm fitorja me kavajasit”. Takimi Veleçiku- Besa pritet të luhet sërish në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe kjo do ishte diçka pozitive për koplikasit. Ato ndodhen në kuotën e 10 pikëve në renditje, në pozita disi komode por kjo nuk mjafton. Kampionati do vijë duke u vështirësuar nga java në javë dhe veriorët duan të shfrytëzojnë kalendarin e këtyre dy javëve teksa kanë për të zhvilluar dy takime brenda. Djepaxhia e konsideron shumë të favorshëm këtë gjë dhe prandaj sipas tij duhet shfrytëzuar. “Për momentin jemi në pozicion disi të favorshëm por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Duhet t’i shfrytëzojmë këto dy ndeshjet rradhazi që do luajmë në fushën tonë me Besën dhe më pas me Kamzën në mënyrë që të marrim edhe dy fitore dhe nëse do ndodhte kjo, pastaj do ishim shumë më të qetë në mesin e tabelës së renditjes. Mundësitë për t’i fituar këto ndeshje i kemi, tashmë mbetet t’i marrim këto 6 pikë”- është shprehur në fund mesfushori 23 vjeçar shkodran që këtë sezon është pjesë e ekipit të Veleçikut.
© shkodrasport.com