Karriera e tij pat nisur vrullshëm dhe në mënyrë të shkëlqyer. Bashkë me Armando Vajushin, kanë qenë dy futbollistët 19 vjeçarë që tre sezone më parë do spikasnin tek Vllaznia. Por nëse i pari pati sukses dhe sot luan në Bullgari dhe me kombëtaren, i dyti ka qenë i pafat. Një dëmtim në momentin më të keq, do të ndikonte shumë në karrierën e tij. Ari Djepaxhia prej atij momenti asnjëherë nuk do arrinte të luante në nivele të larta sepse fati i keq do ta ndiqte sërish me dëmtime të shumta. Sivjet është rikthyer të luajë për Veleçikun.

Ka shkuar tek kjo skuadër prej trajnerit Kreshnik Krepi dhe në çdo ndeshje po luan mirë duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të këtij ekipi. Natyrisht që situata tek koplikasit pas largimit të këtij trajneri nuk është ajo e duhura megjithatë trajneri që ka ardhur- Besnik Duli po mundohet të rikthejë moralin e duhur tek futbollistët. Por nisja nuk ka qenë e mirë me këtë trajner. Të shtunën që shkoi Veleçiku humbi në kampionat me Adën ndërsa në mesjavë është mundur thellësisht, 1-6 nga Flamurtari për kupë. Duke folur pikërisht për këtë humbjen e fundit, Djepaxhija do ta argumentonte në këtë mënyrë atë: “Në fakt ndeshjen e filluam mirë. Luajtëm si të barabartë me kundërshtarin ndonëse edhe Flamurtari po luante me ekipin e dytë ndërkohë që pas pësimit të golit të parë, morali jonë ra. Ndërsa në pjesën e dytë edhe me ndryshimet që bëri trajneri, vlonjatët na dominuan tërësisht dhe na mundën me rezultat të thellë. Kuptohet që ne nuk kishim pretendime për të kaluar turin dhe përpos kësaj, edhe zhvillimi i ndeshjes ishte në dyshim për shkak të mungesës së fushës dhe përderisa e zhvilluam atë në Vlorë, kuptohet qartë se çfarë motivimi mund të kishim”. Megjithatë tashmë ajo ndeshje është lënë pas dhe koplikasit po përgatiten për sfidën e rradhës. Atë që do të luajnë ditën e shtunë në transfertë me Mamurrasin. Kuptohet që është një sfidë shumë e vështirë pasi kundërshtari është një nga ekipet më të mira, por për Djepaxhinë, ekipi tij do të kërkojë fitoren. “Objektivi jonë për çdo ndeshje është fitorja, pavarësisht se këtë herë do luajmë ndaj Mamurrasit dhe në fushën e tij. Për ne nuk ka asnjë problem. Kemi një grup të mirë futbollistësh dhe mund të fitojmë ndaj çdo lloj kundërshtari”- ka thënë mesfushori shkodran që luan për këtë ekip. Në fakt, në Mamurras skuadra nuk do të drejtohet nga trajneri Besnik Duli ngaqë ai është pezulluar dy javë nga Komisioni i Disiplinës për reagimin e tij nga gjyqtarëve në pushimin e ndeshjes me Adën.
Gjergj KOLA