Majk Traut dhe LA Angels janë shumë pranë firmës së akordit financiar më të kushtueshëm në historinë e sportit botëror, një marrëveshje që bën të duken thuajse qesharake shifrat që dëgjojmë çdo vit për emra si Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo në futboll.

Bejzbollisti 27-vjeçar do të nënshkruajë rinovimin e kontratës së tij me klubin për 12 vite të tjera, duke bërë praktikisht të sigurt mbylljen e karrierës atje.

Sipas ESPN, akordi është arritur për një shifër prej 430 milionë dollarësh, që do të thotë se ai do të përfitojë të garantuara për 12 vitet e ardhshme mesatarisht 36 milionë dollarë në sezon.

Kjo shifër do të kalojë kontratën që dukej e paarritshme të Brys Harper me Filadelfia Phillies, 330 milionë dollarë, si dhe atë prej 365 milionë dollarësh që boksieri Kanelo Alvarez nënshkroi me rrjetin DAZN.

Edhe pse LA Angels nuk ka pasur shumë sukses gjatë këtyre viteve me Traut si pjesë të tij, me vetëm një pjesëmarrje në play-off në 9 sezonet e fundit, klubi mendoi se prania e bejzbollistit i cili vlerësohet si më i miri i brezit të tij, do të garantojë suksese në sezonet e ardhshme. /vipsport/