Liga e Kampioneve ka mësuar dje dy emrat e fundit të skuadrave që marrin pjesë në çerekfinalet e turneut në këtë edicion, të cilat padyshim do të jenë spektakolare.
Borusia Dortmund dhe Atletiko Madrid, u janë bashkuar PSG, Bajern Mynih, Real Madrid, Mançester Siti, Barcelona dhe Arsenal, si skuadrat që kanë mbetur tashmë në garë për trofeun për sezonin 2023-2024.
Bie në sy se në garë janë tre skuadra spanjolle, dy angleze, dy gjermane dhe një franceze. Ky është një ndryshim radikal në krahasim me vitin e kaluar pasi nuk ka asnjë ekip italian, kurse një edicion më parë tre prej tyre kaluan mes 8 më të mirave.
Këta skuadra do të mësojnë këtë të premte në orën 12:00 vijimin e rrugëtimit të tyre në turne në shortin që do të hidhet nga UEFA në Nion të Zvicrës. Shorti do të jetë i hapur, me të gjitha skuadrat që mund të përballen edhe me ekipe nga vendet e tyre. Përveç shortit të çerekfinaleve, do të hidhet edhe shorti i gjysmëfinaleve, që do të thotë se secila skuadër do të mësojë rrugëtimin e saj deri në finalen e madhe.