Rafael Duamena ka qenë një nga protagonistët e skuadrës së Egnatias dhe me golat e shënuar ka ndihmuar skuadrën rrogozhinase që të ngjitet në zonën e lartë të renditjes dhe të synojë një vend në Kupat e Europës. Sulmuesi ganez, që ka fituar çmimin Oversport “Lojtari më i mirë i muajit mars”, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Oversport.
Duamena ka treguar si ndihet në Shqipëri, objektivat e Egnatias, momentet e bukura dhe të vështira që ka kaluar në karrierën e tij. Sulmuesi tregon njohjet me futbollistët shqiptarë me të cilët ka luajtur në Europë dhe rrëfen pengun më të madh në karrierë. Më poshtë intervista e plotë e Rafael Duamenës të cilën mund ta ndiqni edhe në Oversport News dhe në kanalin Oversport në Youtube.
Duamena mirësevjen! Jeni shpallur lojtari i muajit mars, duke fituar një trofe simbolik. Trofeun “Oversport”. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Pikë së pari, faleminderit shumë. Nuk mendoja kurrë se do të merrja një vlerësim të tillë. Realisht jam shumë i lumtur që të marr këtë trofe për paraqitjet e mia. Por, falënderime speciale për këtë dua të jap për të gjithë skuadrën e Egnatias, me të cilët ja dola të marr edhe këtë vlerësim. Ne punojmë të gjithë bashkë si skuadër dhe ky trofe është për të gjithë bashkë.
Si ndiheni në Shqipëri, me ambientin dhe kampionatin?
Deri më tani jam i kënaqur, është një kampionat mjaft i fortë. Ne fakt është shumë i ndryshëm nga kampionatet ku kam luajtur deri më tani, por jam përpjekur që të përshtatem sa më shpejt, siç kam bërë kudo ku kam luajtur. Deri më tani, më pëlqen skuadra dhe më pëlqen kampionati sepse është me shumë rivalitet. Mua më pëlqen që të konkurroj në gara të tilla të forta.
Si e kujtoni momentin e parë kur morët ftesën dhe kur ju folën për Shqipërinë? Çfarë ju bëri përshtypje?
Përpara se të vija në Shqipëri për të luajtur, kam luajtur me disa lojtarë shqiptarë në karrierën time. Kam luajtur me Ylber Ramadanin, Burim Kukelin dhe Armando Sadikun. Kështu që e kisha një lloj ideje se çfarë do te thotë të luash me shqiptarët. Përpara se të vija, pata një bisedë edhe me trajnerin dhe ishte shumë komode për mua që të zgjidhja për të luajtur në këtë kampionat. Që kur kam ardhur e pashë që ishte një kampionat i vështirë dhe gjithashtu mentaliteti i njerëzve që duan të fitojnë e bëjnë shumë rivalizues këtë kampionat. Për mua është diçka e re, por më pëlqen.
Më kë prej tre lojtarëve të kombëtares shqiptare jeni miqësuar më shumë?
Kam luajtur shumë gjatë me Kukelin për thuajse dy vite dhe kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me të. Edhe Ramadani është gjithashtu një djalë i mirë. Kemi luajtur një vit së bashku në Danimarkë. Kurse për Sadikun, në momentin që unë shkova te Levante, ai ishte i dëmtuar dhe nuk patëm mundësinë për të pasur një lidhje të mirë në fushë. Megjithatë, kisha një raport të mirë edhe me Armandon.
Si është Egnatia, shokët e ekipit dhe atmosfera në dhomat e zhveshjes?
Atmosferë shumë, shumë e mirë. Në total, është një kampionat që ka qenë i vështirë për të gjithë ne sepse jemi disa lojtare të rinj në ekip. Kështu që na është dashur të përshtatemi dhe adaptohemi me njëri-tjetrin. Megjithatë, për këtë na ka ndihmuar edhe atmosfera në ekip që është shumë e mirë. Mendoj se jemi në një ecuri të mirë dhe po punojmë të gjithë së bashku si një skuadër. Mendoj se që nga presidenti, stafi dhe lojtarët, po bëhet nga të gjithë një punë shumë mirë dhe shpresojmë që në fund te arrijmë edhe objektivat qe kemi.
Cili është objektivi për ju?
Objektivi për Egnatian është Europa dhe nëse do të jetë e mundur, të fitojmë kampionatin. Për këtë ne po punojmë çdo ditë.
Kush është më serioz?
Hmm nuk e di. Të gjithë! Është e vështirë ta them sepse ne punojmë shumë së bashku dhe gjithashtu argëtohemi së bashku. Prandaj e kam të vështirë që të zgjedh vetëm një lojtar, sepse të gjithë lojtarët jemi serioze.
Po lojtari me më tepër humor?
Ndoshta Puja. Bruno! Portieri.
Po trajneri Tetova si është?
Edhe ai është shumë interesant. Është me humor të mirë. Bën shpesh herë batuta edhe ai. Është njeri shume i mirë.
Po gjatë ndeshjeve ai është shumë serioz, duket se nervozohet shumë.
PO në ndeshje ashtu ndodh sepse është puna e tij. Ai duhet të flasë me të gjithë që të sigurohet se ne po bëjmë gjënë e duhur në çdo veprim. Por është shumë i mirë.
Por, gjithashtu Tetova duket shumë i afërt me secilin lojtar.
PO është e vërtetë sepse ne flasim edhe individualisht me trajnerin. Në futboll, përgjegjësia shpesh është e trajnerit kur ekipi humb dhe për këtë, ndonjëherë ai duhet të bëhet i ashpër dhe ndonjëherë miqësor. Por është njeri shumë i mirë dhe kjo ka rëndësi.
Cili është synimi juaj këtë sezon me Egnatian?
Synimi im është siç ka qenë gjithmonë: Skuadra e para. Dua që të fitojmë kampionatin, të kualifikohemi në Europë. Ky është objektivi im. Që të shijoj çdo moment dhe të luaj sa më shumë futboll.
Sa gola synoni deri në fund të sezonit?
Jo nuk e kam një shifër të tillë si objektiv. Unë përpiqem që t’i marr ndeshjet një nga një. Nëse shënoj akoma do të jetë mirë. Por realisht përpiqem të shijoj çdo ndeshje dhe bëj maksimumin për të dhënë më të mirën time për ekipin.
Kush është mbrojtësi që ta ka bërë më të vështirë në kampionat dhe skuadra më e fortë me të cilën je përballur?
Nuk e di sepse ka shumë mbrojtës dhe nuk ua di emrat. Kam nevojë të mendohem. Ndoshta mbrojtësi i Tiranës (Jocelin Behiratche). Kur ne luajtëm kundër Tiranës në shtëpi, ai ishte i shpejtë dhe ishte shumë sfiduese që të luaja kundër tij. Realisht, mua më pëlqejnë sfida të tilla. Edhe në stërvitje, ne kemi mbrojtës shumë të mirë si Atanda, Mallota apo Musta. Janë edhe djem shumë të mirë dhe mua më pëlqejnë sfidat.
A keni një peng në karrierë?
Nuk e di! Nuk e di! Është e vështirë.
Pse, nuk doni që ta thoni?
Sepse nuk është… Më mirë ta lëmë fare..
Ndoshta Premier Liga sepse ju keni pasur një mundësi për të luajtur te Brighton dhe nuk u realizua? Çfarë ndodhi?
Po, ajo është. Ishte një diskutim me mjekët e skuadrës. Sipas tyre, nuk i kalova testet mjekësore dhe aty ndaloi ajo mundësi dhe nuk u realizua. Por, kur u ktheva në Zyrih, i kalova testet mjekësore. Kështu që ishte si një lloj opinioni nga një doktor te tjetri. Ai mjek deklaroi se nuk dëshironte që unë të luaja dhe unë u ktheva të luaj në Zvicër. Unë kam luajtur në la Liga, një kampionat shumë i fortë. U riktheva të luaj në Spanjë sepse më pëlqente, por më duhet ta pranoj që edhe kampionati anglez është një nga të preferuarit e mi sepse kur kam qenë i vogël ëndërroja që të luaja me Manchester United.
Si ishte momenti kur mjeku në Premier Ligë refuzoi të luanit atje? Si e përjetuat?
Ishte e vështirë. Ishte shumë e vështirë. Ishte hera e parë që humbja një mundësi të tillë të artë, siç ishte edhe ai transferim. Ishte e vështirë, sepse unë e dija që nuk kisha asnjë problem shëndetësor, por ishte vetëm mendimi i një mjeku. Klubi vendosi që të mos e bënte të mundur që unë të transferohesha atje dhe për mua dhe gruan time, ishte një moment shumë i vështirë. Gjithsesi, Zoti na ndihmoi për gjithçka dhe nga ajo periudhë e vështirë, kemi mësuar shumë gjëra.
Duamena, kur ka qenë momenti më i keq për ju? Kur u refuzuat nga Brighton, apo në 28 tetor 2021 kur patët probleme me zemrën në fushë në një ndeshje për Kupën e Austrisë?
E kuptoj për çfarë thoni, por nuk kishte të bënte me një problem në zemër. Unë kisha një aparaturë në trup dhe ajo duhet të reagonte në ndonjë moment dhe unë thjeshtë duhet të ndaloja dhe ta verifikonte mjeku. Vetëm kaq.
Por në mediat austriake është raportuar se patët probleme me zemrën
Po e di, por është raportuar gabim në mediat austriake. Gjithsesi, për t’u kthyer tek pyetja juaj, nuk do të thosha momenti më i keq por më i vështiri ka qenë kur humba marrëveshjen që kishim arritur në Angli. Atje ishte një ëndërr e bërë realitet. Një pagesë e mirë, një ligë shumë e mirë. Ishte hera e parë për mua te prekja atë realitet dhe ishte e vështirë. Por nuk do të thosha më i keqi, sepse gjithsesi kam mësuar shumë edhe në atë periudhë. Në fund të fundit, në atë periudhë kam mësuar të besoj në zot!
Referuar edhe shkrimeve në mediat austriake dhe ato zvicerane, si është e vërteta? Ju luani me një defribilator në zemër?
Po, kështu ka qenë dy vite më parë. Kam luajtur me defribilator, sepse ma dhanë në Spanjë. Mirëpo, nuk ndihesha rehat me të. Dhe kam kërkuar që të luaj pa të. E hoqa dhe ka kaluar një vit tani, që unë po e shijoj futbollin.
– Me kë do të donit të luanit, Mesin apo Ronaldon?
Kam Luajtur ndaj Mesit kështu që tani dua të luaj me Ronaldon.
Xavi apo Pirlo?
Pirlo
Bufon apo Kasijas, kujt do donit t’i shënonit?
Kasijas! Ka qenë një nga të preferuarit e mi dhe do të dëshiroja shumë të shënoja kundër tij. Por tani është tërhequr nga futbolli dhe nuk është më e mundur.
Guardiola apo Mourinho?
Është e vështirë. Për taktikën, Guardiolën. Për mentalitetin Mourinhon. Mendoj se do të zgjidhja Murinjon, sepse unë kam qenë tifoz me Realin. Dhe arsyeja që e zgjedh është se ai i shtyn lojtarët që të japin shumë në fushë, 200%. Edhe atëherë kur nuk do, ai të bën të punosh.
Çfarë muzike dëgjoni, hitet komerciale apo klasike?
Në fakt asnjërën, sepse dëgjoj shumë “gospo music”
Preferoni më tepër mish apo peshk?
Mish. Preferoj shumë biftekun e viçit
Qyteti më i bukur që keni jetuar?
Zyrihu. Është një qytet shumë i bukur, shumë i pastër dhe i strukturuar. Është një nga qytetet më të mirë ku mund të jetosh. Është disi i shtrenjtë, por është shumë i këndshëm.
Po Shqipëria si është?
Shqipëria është shumë e këndshme. Më pëlqen shumë Tirana. Është shumë e këndshme. Më pëlqejnë njerëzit këtu, janë shumë miqësorë dhe ta bëjnë shumë të lehtë për t’u ambientuar.
Ushqimi i preferuar në Shqipëri?
Si ta shpjegoj. Pulë me patate të pjekura.
Dhe në fund, përshtypjet për këtë intervistë?
Më pëlqeu. Ju faleminderit shumë për intervistën dhe trofeun.