Për 5 vjet rresht pallati i sportit “Qazim Dervishi” u ka dhuruar shumë emocione sportdashësve shkodranë. Ata mezi prisnin ndeshjet e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë për të qenë të pranishëm dhe për ta mbështetur atë.
Por nga ana tjetër, një problem më vehte ishte edhe gjetja e një bilete sepse kapaciteti prej 1200 vendesh nuk mjaftonte. Njëfarë zgjidhje ishte transmetimi i ndeshjeve “live” nga televizionet lokale. Gjatë këtyre pesë viteve, Vllaznia tre vjet u shpall kampion ndërsa në dy të tjera zuri vendet e dyta.
Por prej dy sezonesh ky ekip ka rënë shumë poshtë. Sezonin e kaluar shkoi në “play-out” ndërsa sivjet rrezikon shumë seriozisht rënien nga kategoria. Megjithatë ardhja e presidentit Xhaferi dhe ndryshimet që ai po bën kanë rikthyer atmosferën jo vetëm tek skuadra por edhe tek sportdashësit.
Ata mezi presin ndeshjen e javës tjetër me Teutën për të mbushur pallatin e sportit sërish. Ndërsa për emocionet e trofeve mbase duhet pritur edhe pak. Për momentin, janë gjëra të tjera që duhen rregulluar dhe pikë së pari, largimi nga vendi i fundit i renditjes.
© shkodrasport.com