Pak ditë më parë, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, njëherazi ish-futbollist i disa prej klubeve më të mira në liga të ndryshme të Europës, Lorik Cana, deklaronte për mediat franceze se ishte në tratativë për blerjen e një klubi futbolli.
Më tej ai deklaronte se ky klub nuk ishte pjesë e një prej pesë ligave më të mira në Europë. Ngjalli kureshtje për të gjithë! Pak ditë pas kësaj interviste, Lorik Cana, padyshim i dashuruar pas futbolli, shfaqet papritmas në Kamëz, në stadiumin e këtij qyteti për të ndjekur ndeshjen e Superligës mes skuadrës vendase dhe Tiranës.
I ulur mes dy presidentëve të klubeve respektive, Lorik Cana, ishte padyshim njeriu që tërhoqi vëmendjen e shumë kujt, më shumë se sa vetë ndeshja.
Në përfundim të takimit, Telesport arriti të merrte një prononcim të shkurtër nga ish-kapiteni i kuqezinjve në lidhje me praninë e tij në stadiumin e Kamzës.
Interesit të Telesport në lidhje me blerjen e klubit të futbollit, nivelit të kampionatit shqiptar dhe mungesës së tifozëve në stadiume, Lorik Cana i dha këto përgjigje!
-Ishit thjesht për të parë ndeshjen, apo ka diçka më shumë?
-Jo, jo…
-Nga që keni deklaruar se jeni duke u përgatitur për të blerë një ekip futbolli?
-Jo, nuk ka të bëj me Shqipërinë. Unë personalisht kam qejf me pa ndeshjet me që kam kohë që jam këtu. Vij i shoh…
-Tifoz i kujt skuadre ishe?
-Unë ekipin e kam në Kosovë, vij e shoh futboll për kënaqësinë time, për të parë futboll.
-Si po të duket Superliga?
-Ka shumë gjëra interesante. Sigurisht që kushtet nuk janë shumë të mira, kemi shumë cilësi, kemi talente, por jemi akoma shumë shumë larg ku mund të jemi. Gjithësesi është mirë të ketë dhe sa më shumë njerëz në stadium…
-Edhe sot stadiumi ishte bosh!
-Po kjo është për gjynah, por shoh që ka shumë fëmijë dhe kjo është gjë e mirë dhe kështu shkojnë më shumë njerëz në stadium. Kështu dhe lojtarët do të kenë më shumë dëshirë për të performuar. Cilësi ka, kushtet nuk janë gjithmonë optimale, por besoj se kampionati jonë mund të ngrihet, do ngrihet, për të bërë diçka më interesante.
-Ftesën për të ardhur në Kamëz e kishit nga Refik Halili apo Naim Qarri?
-(Qesh) Jo i mora në telefon vetë dhe u thash që do të vij sot për t`ju parë. Më kanë pritur shumë mirë!/telesport/