Senol Gynesh është trajneri i ri i Turqisë. U përfol se tekniku do të mungonte në sfidën e parë të eliminatoreve të Europianit ndaj Shqipërisë, por rregullorja e lejon atë që të jetë në Shkodër në 22 mars, për të drejtuar kombëtaren e tij, e më pas të rikthehet sërish te klubi i tij për ndeshjen e radhës.
Gynesh drejton aktualisht ekipin e Beshiktashit, ndërsa kohët e fundit është përballur me shumë kritika. Në konferencën për shtyp para sfidës që skuadra e Beshiktashit do të luajë ndaj Koniasporit, Gynesh zbuloi se e ka marrë në telefon edhe Erdogan.
“Erdogan më ka marrë në telefon dhe më tha se kam një vizion të mirë rreth futbollit. Unë jam një person që kam ëndrra dhe jetoj me ambicien për të fituar gjithmonë.
Përpara se të merrja ekipin kombëtar, Beshiktashi më ofroi një kontratë të re. Por tashmë janë disa që kërkojnë largimin tim, të paktën unë kështu ndihem, duke parë se çfarë është shkruar në media dhe rrjetet sociale.
Mund të them vetëm se çdo lojtar turk mund ta veshë fanellën e ekipit tonë kombëtar”, u shpreh trajneri.