Mjeshtri i madh i sportit dhe i dh jetërave tituj të tjerë, Luigj Bytyçi, zgjon Tiranën. Ish-futbollisti i njohur dhe gjashtë herë kampion me Tiranën nuk pranon gjendjen e bardhebluve.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Bytyçi tregohet i ashpër me lojtarët e Tiranës, duke u kërkuar djemve që të luajnë për ngjyrat bardheblu dhe qenësinë e skuadrës në Kategorinë Superiore. Bytyçi citon Danten, por paralajmëron se populli bardheblu nuk pranon një zbritje të dytë në Kategorinë e Parë.
Çfarë mund të thuhet kur shihet Tirana që luan me Kastriotin dhe nuk fiton. Për të më tepër që rrezikon kategorinë?
Mos po më thua që ke nevojë për zemër, gjak, a për ndonjë gjë tjetër vitale? Tirana është zemra ime. Me kaq, dua të shpjegoj gjithçka që mund të mendoni dhe kërkoni ju dhe i gjithë opinioni sportiv.
Si ju duk skuadra në ndeshjen me krutanët?
Në atë skuadër mungojnë karakteristikat e Tiranës. Mungon shpirti i Tiranës, grinta. Aty mungon ajo që është më e rëndësishmja. Dëshira për fitore, për të mos folur për finalizimin. Ka shumë, shumë gjëra që mungojnë në atë ekip. Në mes të lojës do të kisha dashur që të zbrisja në fushë. Të kopjoja Danten dhe t’ua nxirja zemrën vendit dhe t’i shkundja ata djem. Sigurisht që nuk u mungon gjithçka se nuk janë dordolecë në fushë, por kanë shumë për të dhënë që të justifikojnë fanellën e lavdishme, flamurin bardheblu.
Ju vjen keq që Tirana juaj është në këtë gjendje?
Shumë. Askush nuk mund të tallet me fanellat që i kemi blerë me paratë tona në Skoci, në Kilmanok. Dhe nuk të lejoj të ndodhë një gjë e tillë. Fanella bardheblu ka gjakun, djersën e shumë e shumë futbollistëve të mëdhenj që brez pas brezi e kanë mbajtur me traditë. Të mundje në ato kohë Dinamon, Partizanin ishte e jashtëzakonshme.
Ne luanim për një pjatë gjellë të alumintë dhe dilnim kampionë. Personalisht kam gjashtë tituj në gjoks. Si u fituan? Me çfarë gjaku e grinte…? Aq i prekur dhe i elektrizuar jam, saqë nuk dua të shprehem e të nis me vokabularin negativ. Gjithsesi, Tiranës i lutem dhe i uroj që të gjejë vetveten. U lutem futbollistëve që të japin gjithçka e t’i fitojnë këto ndeshje, si dhe të mos dalin nga kategoria. Për Tiranën e madhe më pas duhen emra të mëdhenj, si ata që kanë luajtur me këtë fanellë, që t’u tregojnë këtyre sesi luhet futbolli.
A mund të pranohet një rënie e dytë në Kategorinë e Parë?
Jo, nuk mund të pranohet, por as mund të mendohet, imagjinohet. Anglezët kanë një shprehje: “Nuk mund të ndodhë për herë të dytë”. Do të jetë çmenduri që të bjerë skuadra për herë të dytë një kategori më poshtë. Në 2017- ën ndodhi tërmet. Çfarë, do ta shohim prapë këtë tragjedi? Nëse skuadra bie, atëherë t’i ndërrojnë emrin. T’ia vënë Kamza, Sauku a ndonjë gjë tjetër./panorama-sport/