Shqipëria do të përballet me Finlandën dhe Zvicrën në “Air Albania”, në dy ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Europianit U21, teksa risi e listës së Alban Bushit ishte padyshim edhe mesfushori 18-vjeçar Feta Fetai.
Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, iu bashkua një vit më parë Lokomotivës së Zagrebit, ku numëron 13 ndeshje këtë sezon, ndonëse pjesën më të madhe duke ardhur nga stoli.
Fetai kishte luajtur më herët me moshat e Maqedonisë së Veriut dhe kërkohej edhe nga Kroacia e Zvicra, megjithatë kuqezinjtë ia dolën të bëjnë një punë bindëse dhe ta bashkojnë me Shpresat e Alban Bushit.
Ku i fundit foli me superlativa për mesfushorin, duke e cilësuar atë një “Luka Modriç të ri”, jo vetëm për rolin, por edhe për cilësitë teknike e fizike që ai disponon.
“Jemi shumë të lumtur që Feta Fetai zgjodhi Shqipërinë. E kam ndjekur shumë dhe jam i bindur që do të jetë protagonist i mesfushës sonë për shumë vite. Mund të them se është një Luka Modriç i ri, pasi ka shumë cilësi teknike dhe mbi të gjitha, një shpirt sakrifice të jashtëzakonshëm”, u shpreh trajneri i Shqipërisë U21.
Krahas Feta Fetait, te Shpresat Kuqezi vjen për herë të parë edhe mesfushori i talentuar Elion Jashari, i cili është pjesë e Baselit U19 dhe shihet si një nga lojtarët më premtues. Jashari ka qenë më parë pjesë edhe e moshave të Kosovës, teksa tashmë do të provojë të tregojë cilësitë e tij te Shqipëria U21.