Vllaznia po bëhet gati për ndeshjen kundër Lindfild në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Në një intervistë në “Panorama Sport”, në “Panorama TV”, zv. trajneri i shkodranëve, Ndriçim Shtubina tregoi planet e Vllaznisë në merkato dhe gjithashtu se si po shkon faza përgatitore në Bosnje & Hercegovinë.

“Është një eksperiencë shumë e bukur. Po punojmë seriozisht. Po bëjmë një ekip mjaft të fortë dhe do i marrim gjërat ngadalë.

Na duheshe një portier. Këto dy afrime kemi disa kohë që i ndiqnim. Besoj se në fund do të jenë në të mirë të skuadrës për objektivat.

Besoj se nuk është mbyllur me Vllazninë. Duhen dhe disa lojtarë. Është bërë një skuadër 80-90% e re dhe nuk duhet të gabojmë.

Çdo lojtar që vjen në skuadër duhet të japë maksimumin. Te Vllaznia është një punë e drejtë, që e tregon fusha. Çdo lojtar që jep maksimumin e ka vendin në formacion të sigurt, por siç e thash e tregon fusha.

Këtu janë kushte shumë të mira. Unë kisha shumë vote që nuk i kisha parë këto kushte. Shpresoj mos të kemi shumë dëmtime. Por gjithsesi deri tani gjërat kanë shkuar mjaft mirë.

Edhe ne si staf e diskutojmë. Duhet të them diçka për tifozët. Disa lojtarëve u është bërë ofertë, por kanë bërë zgjedhjen e tyre. Disa lojtarëve nuk i është ofruar rinovimin. Por u garantoj tifozëve që kjo skuadër do të jetë më e fortë se vitin e kaluar.

Konkurrenca është e fortë. Ne jemi munduar të gjejmë lojtarë që e duan fanellën dhe jo vetëm për pagesën. Garantoj se Vllaznia do të jetë shumë agresive dhe luftarake.

Nuk besoj se është e drejtë të përmend emra. Lojtarët që janë larguar është biznesi i tyre. Kështu funksionon futbolli. Ne presim dhe 2-3 afrime. Pastaj për kampionat kemi më shumë kohë.

Ne jemi skuadër që po kompletohemi, por në çdo repart mendoj se duhet të përmirësohemi gradualisht. Për çdo repart duhet pasur kujdes që mos të ngutemi.

Ndeshjet miqësore janë vetëm për të rritur skuadrën në formën fizike. Gjithsesi duhen parë gjërat avash avash. Kam besim te kjo skuadër dhe mendoj se do të bëjnë gjëra të mira.

Janë disa gjëra që unë nuk mund të dal në media. Gurishtës i është ofruar një kontratë më e mirë se vitin e kaluar. Pastaj si e ka bërë ai në media është zgjedhja e tij dhe unë i uroj më të mirën.

Njerëzit mendojnë se skuadra ndërtohet me emra. Vllaznia kishte shumë emra në skuadër dhe nuk tregoi forcë. Mendojmë se mbas çdo ndeshje fanella t’i peshojë lojtarëve tre kile.

Nuk mund ta them se jemi skuadër e re. Në futboll nuk i dihet asnjëherë. Ne do hymë të luftojmë për çdo gjë në fushë, këtë ja premtoj tifozëve. Vllaznia do të jetë shumë agresive. Do të kërkoja që t’i marrim gjërat me qetësi.

Kemi marrë informacione, po i shohim çdo ditë ndeshjet e tyre. Është skuadër shumë fizike., por ne do të marrim masat për të dhënë maksimumin dhe të kalojmë.

Të them të drejtën nuk mund ta quaj as avantazh as disavantazh. Është skuadër e fortë. Por në futboll skuadra që lufton më shumë fiton.

Besoj se shanset janë të mëdha. Kemi kaluar dhe skuadra më të forta. Përse mos të tentojmë dhe kësaj radhe për të kaluar një tur.

Jam i sigurt që Egnatia do të bëjë maksimumin për të kaluar turin. Besoj se Egnatia do të jetë shumë e fortë në Europë.

Çdo klub ka nevojë për përforcime. E di që Egnatia është shumë e fortë, por gjërat ndryshojnë. Jam i sigurt që Egnatia do të jetë e fortë si në Europë ashtu dhe kampionat.

Afrime do të ketë, por emra nuk mund të them. Por që do të vijnë lojtarë kjo është e sigurt.

Në mesfushë do të ketë të paktën dy lojtarë cilësor.

Mund të ketë edhe nga Superiorja, por edhe nga jashtë”, u shpreh Shtubina.