Afrimi më i bujshëm i merkatos së verës të Vllaznisë tërhiqet përfundimisht nga kombëtarja e vendit të tij. Tifozët shkodranë pritën disa javë për të parë në veprim 30-vjeçarit Godfri Ualusimbi, mbrojtësin e majtë të Ugandës i cili sipas trajnerit Jonuz do të zgjidhte problemin në prapavijë ku ai kishte improvizuar shpesh lojtarë të ndryshëm.
Pas rreth një muaji pritje, futbollisti kaloi problemet me vizën dhe udhëtoi drejt Shqipërisë, duke bërë edhe debutimin e tij me fanellën kuqeblu në ndeshjen e Kupës këtë mesjavë.
Por pak ditë pasi ka mburritur në Shqipëri, ai ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm duke u tërhequr nga radhët e përfaqësueses së vendit të tij, gjë të cilën ia ka komunikuar edhe Federatës.
“Kanë qenë 10 vite në rrugë duke pasur nderin e madh dhe privilegjin që të përfaqësoj vendin tim, Uganda, në turnetë ndërkombëtarë. Besoj se kam bërë më të mirën sa i përket përfaqësimit me aftësitë e mia të plota, ndaj kam vendosur që të lë të rinjtë të tregojnë aftësitë e tyre dhe shpresoj që ata të përfaqësojnë shqirtin e këtij kombi”, shkruante Ualusimbi në letrën që ka dërguar në Federatën e Ugandës duke njoftuar tërheqjen e tij nga ekipi kombëtar.
Kjo do të thotë se ai do të jetë plotësisht në dispozicion të klubit shkodran dhe nuk do të mungojë në ditët e ndeshjeve ndërkombëtare kur luan Uganda, siç ka bërë më përpara. /vipsport/