Trajneri i Kukësit, Enkelejd Dobi, e cilëson të pamerituar humbjen e ekipit të tij përballë Egnatias., Sipas tij, dy janë momentet kyçe të sfidës, ai autogol në fund të saj e një penallti që nuk u dha për prekje të topit me dorë në zonë nga Atanda.

“E shënuam vetë golin, jo Egnatia. U thashë lojtarëve të mbanin kokën lart se me mënyrën se si luajtëm, nuk e meritonim të paktën humbjen. Egnatias ia dhuruam ne golin, e shënuam vetë, i erdhën Krishtlindjet para kohe si i thonë fjalës.

Nëse shohim volumin e lojës, situatën e golave, të tjerët shohin rezultatin në fund. Unë jam trajner, normal që rezultati shihet se luhet për të. Por unë shoh nëse kemi vazhdimësi, duhet të jetë edhe mënyra e lojës, volumi, dinamika, të gjitha përputhen. Sot e shënuam ne golin, jo se na shënoi Egnatia, mund të themi çfarë të duam tani, por çfarë të themi.

Mund të kemi pretendime për një penallti, se unë nuk kam qejf të flas për arbitrimin, por mendoj se nuk është natyrale. Shihni ku janë duart (e Atanda). Me gjithë respektin unë e falënderova arbitrin për gjithë ndeshjen, por kjo këtu nuk e di. Të nxjerrin justifikime se kush ka gabuar, por le të vazhdojmë, kjo mbeti në histori. Gjëra të tilla duhet t’i minimizojmë, se është puna e një klubi dhe shumë personave. Gabimet për njerëzit janë por duhet të jemi pak më të saktë te mënyra e interpretimit dhe vendimet që marrin.

Minusi i madh është vetëm goli, asgjë tjetër, futbolli është i çmendur. Jo vetëm unë, e dinë të gjithë, e dini të gjithë që ndonjëherë gjërat e vogla të bëjnë të mos marrësh atë që meriton dhe ndonjëherë diçka që nuk e meriton. Sot nuk ishte te taktika se situatat për gola i kemi krijuar. Kemi ende akoma shumë ndeshje. Na vjen keq që pikët po na ikin, po humbim pak pikë, kjo është e gjitha”, theksoi për “Oversport” Dobi pas përfundimit të sfidës.