Edmond Doçi, ish-futbollisti kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë, mendon që rezultati i djeshëm për shkodranët, ishte një pikë me vlerë, sepse luante ndaj një kundërshtari direkt.

Pavarësisht pozitave momentale, ai thotë se në këtë fazë në vazhdim, Vllazninë e favorizon edhe kalendari. Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, ish-mesfushori evidenton se ekipet kanë mbërritur në një fazë, ku duhet të luajnë me tepër kujdes.

“Në pamje të parë, ndeshjen e djeshme të Vllaznisë, po ta marrësh në anën profesionale duhet ta shikojmë në një pikëpamje tjetër. Kemi mbërritur në një fazë, ku ekipet duhet të luajnë me kujdes.

Rëndësia më e madhe, është të marrin ekipet pikët, që i nevojiten për të arritur objektivin, dhe duke pasur parasysh që Vllaznia dhe Kukësi janë dy skuadrat, që për mendimin tim, kanë bërë futbollin më të hapur dhe më të bukur gjatë gjithë kampionatit, mendoj që këtë ndeshje e kishin menduar ndryshe, që të mos gabonin dhe të përfitonin nga gabimet e njëra-tjetrës. Kjo gjë nuk ndodhi dhe rezultati ishte me shifra të barabarta, 0-0.

Për Vllazninë, mendoj që ishte një pikë me vlera, sepse luante me një kundërshtar direkt, si Kukësi dhe në fushën kundërshtare. Këtë fazë, Vllazninë e favorizon edhe kalendari dhe mendoj që do të jetë aty, ku duhet për të arritur objektivat”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznia U17, Edmond Doçi.
Maringlen ZHIVANI