Ndeshja në mes Vllaznisë dhe Kamzës po afron dhe në kampin shkodran shtohet ankthi.
Atyre u bën punë vetëm fitorja ndërsa kundërshtari luan për dy rezultate.
Edmond Doçi, një ish- futbollist kuqeblu, në një prononcim për “Shkodra Sport” shpreh bindjen se lojtarët aktualë të këtij skuadra do ia dalin me sukses ta kalojnë me sukses këtë sfidë.
Padyshim duke u bërë thirrje edhe tifozëve për t’i mbështetur nga shkallët e “Loro Boriçit” edhe këtë herë.
Ja si është shprehur ai: “Ndeshjen e konsideroj shumë të vështirë sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar direkt të Vllaznisë.
Besoj se do të ketë shumë tifozë për ta mbështetur skuadrën ashtu si vjet ndaj Tiranës.
Natyrisht që në rradhët e tyre ka shumë pakënaqësi në lidhje me ecurinë e saj, por në këtë moment nuk duhen menduar këto gjëra.
Natyrisht që duke shpresuar se ky do të jetë sezoni i fundit që do të vuajnë kaq shumë.
Prandaj, duhet ta ndihmojmë Vllazninë edhe për këto ndeshje që i kanë mbetur në mënyrë që ajo ta arrijë objektivin dhe pastaj në verë flasim.
Unë besoj se futbollistët shkodranë do të dinë ta zgjidhin si duhet këtë ndeshje.
Ato vijnë pas një momenti të mirë që kaluan në Vlorë pavarësisht se nuk arritën të marrin fitoren dhe fakti që u bën vetëm punë ndaj Kamzës, i ka motivuar edhe më shumë ata.
Futbollistët e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe unë besoj se do ia dalin”.
© shkodrasport.com