Vllaznia ia arriti të fitonte në shifrat 4-1 në javën e 17-të të Superiores. Shkodranët mposhtën Laçin, duke i dominuar totalisht kurbinasit dhe duke vijuar kështu formën e mirë të fillim vitit 2023. Tashmë të besuarit e Joses ndodhen vetëm 3 pikë larg ekipit të Tiranës që kryeson tabelën e klasifikimit.
Një distancë totalisht e rikuperueshme dhe që lë kampionatin shumë të hapur për momentin. Për t’u kthyer tek dueli me Laçin, Vllaznia zhvilloi ndoshta lojën më të mirë të këtij edicioni. Thuajse të gjithë lojtarët e formacionit apo edhe ata që erdhën nga stoli shfaqën vlerat e tyre me një formë shumë të mirë.
Një nga ata që me të vërtetë ishte në një ditë të mirë kundër bardhezinjëve ishte edhe Geralb Smajli. Mbrojtësi i djathtë ishte sërish titullar dhe justifikoi totalisht besimin e Joses dhe stafit të tij teknik. Përballë kishte edhe një ‘klient’ të vështirë siç është Mentor Mazrekaj, të cilin 20-vjeçari e dominoi totalisht.
Duke bërë që fantazisti të zëvendësohej nga trajneri Mezani. Edhe Smajli ashtu siç bëri Alivoda në fillimin e sezonit duket se po stabilizohet nga ndeshja në ndeshje në formacionin kuqeblu. Patjetër paraqitjet e tij do vënë në ‘vështirësi’ për të zgjedhur titullarët në momentin kur të gjithë futbollistët do kthehen nga dëmtimet.
Endri ÇINARI