Menjëherë pas zyrtarizimit të marrëveshjes për të qenë sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi ka qenë shumë pranë skuadrës në dy ditët e fundit. Ai ka ndjekur nga afër të dyja seancat e mbetura në dispozicion të ekipit në prag të transfertës me Skënderbeun, madje gjatë së premtes ka qenë edhe në kryeqytet për të ndjekur finalen e Vllaznisë U-17 ndaj Shënkollit.
Në takimin e parë me lojtarët dhe stafin teknik, ai i ka vë në dijeni se do të nisë bisedimet kokë më kokë me secilin prej tyre, duke pasur ide të qarta për vazhdimësinë. Natyrisht, objektivi i parë është që Vllaznia të shpëtojë këtë sezon. “U thashë lojtarëve dhe stafit se kemi bashkuar forcat për të rritur nivelin e futbollit në Shkodër.
Ua bëra të ditur se arsyeja pse jam këtu është dashuria për fanellën kuqeblu, sepse jam rritur me këtë dashuri dhe kam ambicie të mëdha për ta çuar këtë klub në majat më të larta të futbollit shqiptar.
Por, në radhë të parë duhet që të mbyllim me sa më mirë këtë sezon”, ka thënë drejtuesi i ri i klubit shkodran, i cili ishte i shoqëruar nga administratori Suad Lici kur bisedoi me futbollistët.
“Lojtarëve u kam thënë se dëshira ime është të takoj gjithsecilin dhe për të folur më tepër, por në këto momente i këshillova që të fokusohen te ndeshja e radhës.
Ata duhet të mendojnë për ta kaluar këtë moment të vështirë. Të gjithë së bashku ta kalojmë këtë moment, në mënyrë që vitin tjetër të kemi plane shumë më ambicioze për ta çuar këtë skuadër në nivele më të larta”.