Tirana u shpall kampione e Kategorisë së Parë, teksa mposhti Kastriotin me rezultatin 2-0, në finalen e zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Pas sigurimit të Kategorisë Superiore, skuadra e Ze Marias fitoi edhe trofeun e Kategorisë së Parë, i cili vlen 30 milionë lekë.
Bardheblutë e dominuan takimin dhe nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitimin e këtij trofeut, përballë triumfuesve të Grupit A. Ishte Bedri Greca heroi i sfidës që i dha fitoren bardhebluve në minutat 64 dhe 73.
Kujtojmë që të dyja skuadrat, si Tirana dhe Kastrioti do të militojnë në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Krutanët pas 4 vitesh, ndërsa kryeqytetasit qëndruan vetëm 1 vit në të Parën.
Tirana- Kastrioti 2-0
Greca 64′, 73′