Dinamo nuk e ka nisur aspak mirë sezonin, ku në 4 javët e para në Kategorinë e Parë ka arritur të grumbullojë vetëm 1 pikë, e ndërsa ka marrë 3 humbje. Në këto kushte, tekniku Igli Allmuça, sikurse raporton klubi i Dinamos me anë të një postimi në faqen zyrtare, ka paraqitur dorëheqjen.

Vendimtare për trajnerin do të jetë sfida me Erzenin në shtëpi, në datën 19 tetor. Një fitore në këtë sfidë, mund të bëjë trajnerin të qendrojë, kurse në të kundërt, Dinamo mund të jetë nën udhëheqjen e një tjetër trajneri.

Postimi i klubit të Dinamos:

“Igli Allmuça paraqet dorëheqjen!

Sipas burimeve brenda klubit, ditën e sotme trajneri Igli Allmuça ka paraqitur pranë drejtuesve, kërkesën për largim nga stoli blu, të cilët nuk e kanë pranuar dorëheqjen e tij.

Para stërvitjes së sotme, Allmuça ka zhvilluar një mbledhje me skuadrën duke analizuar situaten aktuale, pastaj i ka komunikuar edhe vendimin për dorëheqje, duke i thënë lojtarëve që mosmarrja e 3 pikëve me Erzenin, do të çojë në dorëheqjen e parevokueshme nga ana e tij.

Ajo ndeshje pritet të jetë vendimtare për kreun e stolit të 18 herë kampionëve të vendit!

Kujtojmë se Igli Allmuça e mban këtë post që nga viti 2015, ku në moshën 34-vjeçare e mbylli futbollin e luajtur po me fanellen e Dinamos.

FK DINAMO TIRANA”