Humbja e sotme me Laçin i ka kushtuar pankinën trajnerit të Vllaznisë Luan Zmijani. Me të mbërritur në Shkodër, ai bashkë me dy ndihmësit e tij, Ilir Dibrën dhe Avenir Danin kanë marrë vendimin e dorëheqjes nga kjo detyrë. Vendimin në fjalë ia kanë komunikuar edhe drejtuesve të klubit dhe më pas, ka qenë Zmijani ai që ka bërë një deklaratë për mediat. Në të thuhet “E ndjej si obligim qytetar dhe njerëzor që sot, pas humbjes së pësuar edhe me Laçin dhe duke parë situatën aspak të mirë që po kalon skuadra e Vllaznisë, të ju them se kemi vendosur që bashkë me stafin tim të dorëhiqemi.Natyrisht e ndërmarrim një veprim të tillë jo se s’kishim besim për ndryshimin e situatës por nga mosmarrja e rezultateve pozitive në këto ndeshje.
Janë të shumta arsyet që na çuan në këtë vendimmarrje megjithatë ne po marrim përsipër çdo gjë.E rëndësishme është që ata që do vijnë pas nesh, të jeni ndoshta një ogur i mirë për Vllazninë dhe ndryshimin e gjendjes sepse të gjithëve ne na intereson VLLAZNIA. Në këtë deklaratë dorëheqjeje, do të donim t’u bënim thirrje të gjithë atyre që kanë diçka në dorë t’i qëndrojnë sa më pranë skuadrës në këto momente të vështira, sepse periudha që ne kemi punuar ka qenë shumë e vështirë. Normalisht, mosarritja e të luajturit në fushën tonë ka qenë një problem shumë i madh, po ashtu edhe disa gjykime kundër”. Zmijani, Dibra e Dani tashmë nuk janë më por ende nuk dihet se kush do t’i zëvendësojë. Për momentin është vendosur që ekipin ta stërvisë drejtori sportiv Armir Grima deri në gjetjen e trajnerit të ri.
© shkodrasport.com