Kampion i Shqipërisë dhe Kampion i Ballkanit, këto janë dy arritjet e tij para se të niste udhëtimin për një vend të largët, atë drejt Kanadasë ku jeton tashmë. Sportisti i arteve marciale Dorian Dokaj vijon të jetë i suksesshëm edhe atje teksa është shpallur dy herë rresht kampion i këtij vendi.
Karriera e tij, ka nisur me vonesë disi, por brendat tre vitesh që merret me artet marciale, kryesisht me MMA, ka arritur mjaft suksese, por kuptohet që është në hapat e para dhe ka edhe shumë të tjerë për të arritur ngaqë është vetëm 22 vjeç. Në një prononcim për “Shkodra Sport” Doriani flet për shumë gjëra. I pyetur se cilët janë idhujt e tij, ai ka një përgjigje mjaft interesante kur thotë:
“Idhujt e mi janë trajnerët e mi dhe nëse dikush më kërkon të them vetë një idhull, unë nuk mund t’i ndaj. Të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, i konsideroj idhull. Duke filluar nga Elion Puka dhe Gramoz Hasa janë dy trajnerët e mi të parë, dy njerëzit që më injektuan dëshirën për t’u marrë me këtë sport dhe padyshim që i dedikohem shumë atyre. Ata besuan tek unë dhe prandaj i vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Në ndeshje jam marrë vesh me to vetëm me sy, nuk kishte nevojë të flisnim.
Më pas, kur vendosa të vij në Kanada, kuptohet që gjëja e cila do të bëja ishte të merresha sërish me sport. Edhe këtu pata një fat shumë të madh me trajnerët që gjeta e që ishin Matt Embree dhe Robert Santos. Për koinçidencë, kur kam qenë në Shqipëri e kam ndjekur me shumë vëmendje Matt Embree në shumë ndeshje sepse ka qenë dy herë kampion i Botës dhe e kisha si idhull. Pikërisht këtë njeri kur shkova në Kanada, e takova dhe tashmë ai është trajneri im”
Po cilat janë objektivat e tij për të ardhmen? Dokaj përgjigjet: “Kushtet i kam të mira, trajnerët i kam më të mirët e mundshëm dhe objektivi është të bëjmë një kontratë profesionistë për të synuar pastaj drejt titullit botëror. Endrra më e madhe është të dal kampion bote në Federatën UFC që është edhe Federata më e rëndësishme në botë për artet marciale. Ndoshta duket diçka e pamundur, por unë do ta synoj fort deri në fund. Shpresoj që edhe me ndihmën e Zotit t’ia arrijë”.
Kur i themi Dorianit se kujt ia dedikon çfarë ka arritur deri më tani, ai shton: “Këto arritjet e deritanishme pikësëpari shkojnë për familjen time, për trajnerët, për njerëzit që më kanë qëndruar afër, por këto fitore i dedikohen edhe disa njerëzve që nuk janë prezent në jetën tonë, por janë prezent shpirtërisht”.
Dorian është nga Hoti, një trevë që ka nxjerrë shumë sportistë të mëdhenj por edhe njerëz të fushave të tjera. Vetë ai në prononcimin e tij thotë se është krenar që ka lindur në këtë zonë dhe premton se do t’i bëjë banorët e saj të ndihen të lumtur për arritjet e tij edhe në të ardhmen.
“Hoti ka nxjerrë sportistë të mëdhenj, Hoti ka nxjerrë edhe njerëz të mëdhenj. Kur dëgjoj sa njerëz të mëdhenj ka nxjerrë kjo zonë, më bën edhe më shumë krenar dhe ndihem falenderues ndaj atij vendi sepse realisht sot më mbështesin shumë, më urojnë fat para çdo ndeshje. E përsëris, është krenari për mua që vij prej atij fshati dhe i përfaqësoj ata. Unë shpresoj të kem sa më shumë suksese në të ardhmen në mënyrë që t’i bëj edhe më krenarë ata për djalin e tyre”.
Zhvillimi i një ndeshje të rëndësishme në Shkodër është një nga ëndërrat e mëdha të miat. Shpresoj që një ditë, atë titull Europe apo Bote që unë synoj të arrij, të kem mundësinë ta fitoj në një ndeshje që do të zhvilloj në Shkodër. Ky është plani dhe shpresoj që një ditë t’ia dalim”.
Gjergj KOLA