Bylisi pret nesër Skënderbeun dhe trajneri Dovedan ka besim se skuadra e tij do të vazhdojë në rrugën e rezultateve pozitive. Pas seancës së sotme stërvitore, trajneri i ballshiotëve ka pohuar:
Skënderbeu nuk është Vllaznia kështu që edhe përgatitjet i kemi të përqendruara për ndeshjen e radhës. Nga Korça nisi kthesa jonë, por në Ballsh do të jetë një ndeshje ndryshe. Djemtë e kanë të qartë se në fushë duhet që të bëjnë më të mirën”, – tha trajneri i Bylisit.
Mungesat
“Nuk e di, më duhet që të shoh gjendjen e lojtarëve deri pak para ndeshjes për të folur për një situatë më të qartë. Unë kam besim se ata që do të futen në fushë do të bëjnë më të mirën, ashtu si me Teutën apo dhe me Vllazninë, ku ne kemi pasur mungesa. Bylisi nuk varet nga individët, por është një skuadër që lufton në grup. Të them të drejtën, në këtë moment që ka hyrë gara më duhet që t’i kem të gjithë lojtarët e gatshëm”.
Synimet
Bylisi, me fitoren në Shkodër i është larguar zonës së rrezikut. Dovedan thotë se tashmë ai dhe skuadra duhet që të mendojnë diçka më shumë. “Duhet që të mendojmë ndeshje pas ndeshje për më të mirën. Fitorja në Shkodër ishte një hap shumë i rëndësishëm.
Kemi punuar gjatë javës sepse e thash edhe pas ndeshjes që kam pritur më shumë. Kështu që me Skënderbeut dua që të shoh një skuadër, më mirë faktikisht dhe fizikisht për të shkuar te 3 pikët”, – tha trajneri i Bylisit Dovedan para sfidës me Skënderbeun./vipsport/