Të enjten që shkoi është ngjitur sërish në ring pikërisht gjatë “Natës së Boksit” ku u përball me grekun Kostandin Kavvadias dhe ndonëse 12 vjet më i madh në moshë, ia ka dalë të fitojë.
Bëhet fjalë për boksierin profesionist, shkodranin Jetmir Kuçi. Ka muaj që ka mbushur moshën 40 vjeç por është sërish shumë në formë.
Megjithatë, në rrëfimin e tij për “Shkodra Sport”, për herë të parë pasqyron “dramat” e tij por edhe të sportit shqiptar aktualisht.
“Gjithëkush e ka brenda të fshehur atë pasionin për sportin e tij të preferuar. Fillimisht propozimin për t’u rikthyer në ring e mora me entuziasëm por kur fillova stërvitjen, ngarkesat, lodhja fizike, padyshim që fillova të mendoj se çfarë mu desh mua kjo punë.
Nuk ka qenë e lehtë të rikthehesha sërish në ring pas 4 vitesh. Ndonëse në Shqipëri ekziston një mentalitet i tillë se kur kalon një moshë, të konsiderojnë “të vjetër”, “të plakur”.
Por unë në fakt ndihesh mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Kisha mbështetjen e trajnerëve të mi, të kolegëve të mi dhe në një situatë të tillë vendosa të ngjitesha sërish në ring por me idenë për të sensibilizuar edhe publikun se sporti nuk ka moshë”- deklaron fillimisht kampioni ynë.
Por në prononcimin e tij të mëtejshë, zbulon shumë “të fshehta” kur thotë: “Rikthimi im në ring nuk u bë për lekë.
U bëra sepse doja të isha sërish në qendër të vëmendjes sepse këtu të harrojnë. Duhet patjetër të jesh para kamerave, të jesh në ring në evenimente të tilla në mënyrë që t’ua bësh të ditur të gjithëve se ekziston.
Po ju jap vetëm një rast. Pak ditë më parë takova një intelektual që punon edhe në instanca të larta të shtetit i cili në vend të më inkurajonte për të vazhduar, më tha: “Nuk është koha për ta vazhduar më sportin ti, duhet ta lësh”.
Përgjigja ime ishte e tillë: “Ok, më gjej një punë ti dhe po e lë”. Ky është realiteti i ne sportistëve.
Hidhemi kollaj në rrugë të madhe, pavarësisht se kemi bërë sport, madje edhe të cilësisë së lartë, pavarësisht se kemi kryer edhe shkollat, por sërish askush nuk na siguron, qoftë edhe një vend pune.
Na harrojnë lehtë, ky është realiteti i sportit tonë”. Por jo vetëm kaq. Vështirësitë financiare janë një tjetër realitet.
Kampionët e mëdhenj të sportit shqiptar janë hasur edhe me të tjera probleme jashtë sportit. Duken qesharake por ky është realiteti. “Aburditeti shkon edhe më tej.
Tre herë kanë ardhur tek unë dhe mi kanë këputur dritat por i kam lidhur prapë me miq, me sportdashës. Artur Gavoçin e patën futur madje edhe në burg për drita një javë rresht.
Tashmë ka dalë reforma e ujit dhe prapë do kemi të njëjtat probleme.Ky është realiteti ynë në Shkodër e në Shqipëri”- shton më tej 40 vjeçari që ka fituar tetë ndeshje në boksin profesionist.
Kjo e teta e zhvilluar javën e kaluar, ka patur fillimisht edhe kundërshtimin e familjarëve të tij por gjërat më pas kaluan.
Kuçi zbulon edhe një problem tjetër të madh: Ka marrë lekë borxh për për të përmirësuar ushqimin e tij në dy muajt e përgatitjeve për këtë ndeshje. E pazakontë! E thotë vetë kampioni këtë gjë, pa ndroje:
“Në fillim familjen e kam patur kundër ringjitjes time në ring, duke filluar nga nëna dhe duke vazhduar tek bashkëshortja. Nuk kishin dëshirë që unë të vazhdoja sërish boksin.
Por kur filloi kjo puna e të gatuarit në shtëpi veç për mua, sigurisht që përfitonte edhe familja nga ky ushqim dhe kjo filloi t’iu pëlqente kjo gjë.
Aq sa besoj që tani do më thonë të bëj ndeshje të tjera prapë se duan të hanë mirë prapë (qesh). E kisha për humor por këtu ka edhe diçka të vërtetë brenda. Në ato dy muaj stërvitje para ndeshjes, kam marrë lekë borxh për t’u ushqyer.
Dikush nuk e beson por ky është realiteti”. Ajo çfarë kërkon Jetmir Kuçi është mbështetja.
Kërkon një vend pune a diçka të tillë sepse e ka kryer edhe shkollën por nuk ka dëshirë t’i shkojë prapa partive politike siç ndodh rëndom për të gjetur një vend pune. Kërkon ta fitojë përmes emrit, karrierës dhe arsimit të tij.
E përsërit sërish ai kur shpjegon edhe njëherë pse u ringjit në ring në moshën 40 vjeçare prandaj thotë: “E bëra këtë ndeshje thjesht për t’u thënë njerëzve se jam ende gjallë.
Ndoshta kujtohet dikush për mua, ndoshta na ofron diskush një vend pune. Nuk jam ngjitur në ring për lekë por për të jetuar”.
Por a është mbyllur karriera e Jetmir Kuçit këtu? Bacuku, kështu e thërrasin, mendon që jo.
“Meqë fitova, u binda se mund të vazhdoj sërish. Mu krijua bindja se paskam ende fuqi. Ndryshe do të ishte nëse do të kisha humbur, do ta kisha lënë sportin.
Për mua mosha është thjesht një numër. Duke u stërvitur në palestrën e Vllaznisë me djem të rinj, të them të drejtën jam rinuar.
Përpos kësaj, kam edhe doktorë e mjekë të mirë të cilët më kanë qëndruar gjithnjë afër dhe kjo me jep ndjesinë e vazhdimësisë.
Ndjehem vërtetë mirë dhe mbi të gjitha është ana psikologjike ajo që vendos në raste të tilla”- thotë ai në fund të prononcimit të tij.
I gjithë ky rrëfim, në fakt është një apel për të gjithë pushtetarët. Për ata që kanë diçka në dorë.
Sportistët elitarë që ka ky vend, meritojnë më shumë vëmendje, më shumë respekt, më shumë mbështetje. Jetmir Kuçi është aty, në pritjen tuaj. Bashkë me të, edhe të tjerë kampionë.
Gjergj KOLA