Largimi i trajnerit Ernest Gjoka preku të madh dhe të vogël, pasi ish-tekniku i Vllaznisë dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Partizanin.
Ish-trajneri nuk e përballoi mirë humbjen me “demat” që praktikisht rrëzon Vllazninë dhe e hedh nga Superiorja drejt Kategorisë së Parë.
Para ndeshjes, tekniku Gjoka kishte deklaruar se duhet vetëm fitorja dhe çdo rezultat tjetër do të ishte dështim.
“Nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveç fitores. Çdo rezultat tjetër do të ishte dështim. Kemi si mundësi vetëm fitoren”, – deklaronte trajneri Gjoka në konferencë për shtyp.
Pas ndeshjes nuk pranoi të fliste për mediat dhe u mjaftua vetëm me një lajmërim për gazetarët se do të jepte dorëheqjen, pasi ishte shumë i rënduar psikologjikisht.
Në fakt, nuk ka faj, pasi rënia e Vllaznisë përjetohet si dramë në Shkodër dhe mund të thuhet se është një tragjedi për futbollin shqiptar.
Megjithatë, largimi i Gjokës sjell në vëmendje se kush do të jetë pasardhësi i tij. Në fakt, dorëheqja e Gjokës nuk është e vetmja, pasi me shumë mundësi me të do të largohet dhe stafi teknik.
Numri një i stolit erdhi te Vllaznia së bashku me stafin e tij dhe me largimin e Gjokës me shumë mundësi do të largohet dhe zëvendëstrajneri Fation Tafaj, përgatitësi atletik, Gjergj Poloska dhe trajneri i portierëve, Alfred Osmani, këtë informacion përcjellin momentalisht burime të Eduasportin.com nga Shkodra.
Të gjithë të lartpërmendurit janë ndihmës të teknikut Gjoka, por duket se fundi i tyre te Vllaznia ishte ndryshe nga sa e prisnin.
Gjoka mori drejtimin e Vllaznisë pas largimit të trajnerit Armando Cungu.
Ai bëri merkaton e janarit duke afruar lojtarët e tij, por sërish nuk ia doli mbanë që të siguronte mbijetesën. Matematikisht, Vllaznia është në lojë, por duhet një mrekulli për t’ia dalë mbanë./EDS