Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati ishte në një lidhje direkte me emisionin ‘Sport Time” në Supersport, ku foli për ecurinë e përgatitjeve në klubin kuqeblu, por edhe problemet me koronavirusin, duke qenë se ka tre të prekur brenda ekipit.
Si po të duken javët e pra si drejtor Sportiv?
Na mungon të gjithëve futbolli dhe shpresoj që edhe ky bojkoti të mbarojë sa më shpejt. Ne te Vllaznia kemi edhe pak probleme me koronavirusin, pasi kemi dy lojtarë të infektuar dhe na është prishur disi ajo qetësia që kishim. Kemi bërë një punë shumë të mirë me ekipin dhe jam i kënaqur.
Cilët janë të infektuar te Vllaznia?
Kemi Gurishtën, Imamin dhe zëvendës-trajnerin Plori. Gurishtën e presim që të dalë negativ në testin e radhës, pasi iu bënë disa ditë. Të gjithë janë pa simptoma dhe kemi marrë të gjithë masat e nevojshme për t’i mbajtur në izolim dhe për të shmangur përhapjen. Kemi respektuar të gjithë masat e nevojshme, por nuk ia dolëm ta ruanim skuadrën të paprekur nga koronavirusi.
Mesa duket bojkoti u ndihmoi disi?
Ne kemi qenë gati për të filluar kampionatin që dy javë përpara dhe kanë qenë klubet e tjera ato që janë favorizuar nga bojkoti. Megjithatë u vendos kështu për të qenë futbolli më i mirë në të ardhmen, ndaj e respektojmë.
Maqedonia e Veriut apo Kosova?
I jap pak shanse më shumë Maqedonisë së Veriut, duke qenë se Kosova po përballet me disa mungesa shumë të rëndësishme për formacionin.Gjithsesi Kosova ka bërë një fushatë shumë të mirë në Ligën e Kombeve dhe tani qershia mbi tortë do të ishte kualifikimi për në Europian, ndaj nuk ka çfarë të humbë sonte.
A i more të gjithë lojtarët e preferuar?
Mund të kishim bërë edhe më mirë, por këtë vit kemi dubluar çdo pozicion, gjë që nuk është bërë vitet e tjera. Na kanë kritikuar pse kemi sjellë 16 lojtarë, por e kemi bërë këtë për të rritur konkurrencën në skuadër. Kemi ndërruar një pjesë të mirë të ekipit, por kemi 6 lojtarë në formacion, krahasuar nga një vit më parë. Për këtë mendoj se kemi bërë një punë të mirë.
Cilat janë objektivat e Vllaznisë?
Tirana, Kukësi, Laçi e Teuta mendojnë se do të dalin kampionë, ndërsa ne do të jemi një kundërshtar shumë i vështirë për të gjithë ata. Më pas të shohim deri ku do të arrimë. Kemi një skuadër të mirë dhe tifozëri të mirë, ndaj besojmë që do të bëjmë mirë.