I pranishëm në seancën e djeshme stërvitore ka qenë edhe drejtori sportiv Armir Grima. Si gjithmonë pranë skuadrës, ai edhe këtë herë do të ketë përgjegjësinë e ndërtimit të saj duke filluar që nga gjetja e trajnerit dhe e futbollistëve të rinj. Vetë ai e ka pranuar se Vllaznia e sezonit të ri do jetë pa shumë pretendime nisur edhe nga përbërja e re e saj por nga ana tjetër, ka thënë se do të ndërtohet Vllaznia e së ardhmes. E rëndësishme për të është nisja e stërvitjes sepse kompletimi I ekipit do të bëhet rrugës. Ja përgjigjet e plota të dhëna për gazetarët ditën e djeshme nga Grima:
-Më në fund ka nisur stërvitja për Vllazninë Grima….
-E kishim të qartë se ishim paksa të vonuar dhe prandaj shpejtuam duke e nxjerrë ekipin në stërvitje. Në mungesë të trajnerit të parë dhe të dytë, do të kemi ndihmën e trajnerit të Akademisë Astrit Premçi gjatë këtyre ditëve për të stërvitur ekipin bashkë me trajnerin e portierëve Legata.
-Përmendët mungesën e trajnerit. Kur do të emërohet ai?
-Dëshira jonë është të mbarojmë sa më shpejt punë me trajnerin e ri. Kemi qenë të fokusuar tek bisedimet me Armando Cungun që nuk ka kthyer një përgjigje përfundimtare ndërkohë që jemi në bisedime edhe me një apo dy trajnerë të tjerë dhe Brenda pak ditësh mendoj se kjo çështje do mbyllet. Do jetë trajneri I parë pastaj që do të zgjedhë edhe ndihmësin e tij.
-Shohim ndërkohë që mungojnë disa prej titullarëve të sezonit të kaluar si Belisha, Kraja, Tafili e Shtubina. Çfarë po ndodh me ta?
-Në këtë seancë të parë kanë dalë në stërvitje futbollistët që janë nën kontratë me Vllazninë. Këta futbollistët e tjerë që përmendët, u ka mbaruar kontrata dhe në ditët e ardhshme do ulemi për të biseduar me ta dhe për të parë mundësinë nëse do jenë sërish pjesë e skuadrës apo jo. Megjithatë mendoj se çdo gjë është në dorën e trajnerit të ri I cili do të vendosë për këta futbollistë.
-Mungojnë ndërkohë disa prej futbollistëve shkodranë për të cilët u fol se do rikthehen tek Vllaznia si Semina, Gocaj, Sykaj e Nika. Do jenë pjesë e skuadrës këta futbollistë në sezonin e ri?
-Kemi filluar bisedimet me ta dhe mund të them se jemi shumë pranë hedhjes së firmës me Gocajn dhe Sykajn. Ne I duam këto futbollistë në skuadër por kuptohet që duhen parë edhe kërkesat e tyre financiare. Vllaznia aktualisht nuk ofron kontrata shumë të mëdha.
-Kur do ta shohim ekipin e kompletuar?
-Gradualisht do të realizohen të gjitha gjërat. Njëherë filluam stërvitjen, më pas do kërkojmë të gjejmë trajnerin dhe të nënshkruajmë kontratat me futbollistët që duam të marrim dhe në këtë mënyrë skuadra do të marrë formën e duhur.
-Në pamje të parë duket se do të kemi të bëjmë me një Vllazni pa objektiva?
-Objektiva do të ketë por jo për t’u shpallur kampion. Do kërkojmë të jemi në mesin e tabelës së renditjes sepse politika jonë këtë sezon është rinovimi gradual I skuadrës dhe gradualisht, Brenda 2-3 sezonesh të jemi ekip pretendent pastaj.
Gjergj KOLA