
Shkodranët i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur lojtarët e duhur në merkato por deri tani ata janë vetëm në fazën e bisedimeve me shumë prej tyre. Ajo çfarë merret vesh është se drejtuesit e Vllaznisë janë në bisedime me plot 15 futbollistë. Diçka më tepër se gjysma e tyre pritet të vishen kuqeblu për sezonin e ri. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi shkodran përmes faqes zyrtare të tij teksa në një prononcim të drejtorit sportiv Armir Grima ku shpjegohet: “Deri më tani, unë, trajneri Duro apo edhe agjentë të merkatos që punojnë me Vllazninë, kane kontaktuar 15 futbollistë që mund të jenë të vlefshëm për ekipin. Nuk do të jenë të gjithë pjesë e Vllaznisë së sezonit të ri, por ne po kërkojmë të arrijmë më të mirën nga këto bisedime. Po punojmë në dy drejtime: brenda kampionatit shqiptar- me futbolliste vendas dhe të huaj, por edhe jashtë vendit me të njëjtat parametra”. Praktika e punës që po ndiqet duket e qartë. Po luftohet në shumë fronte në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitur për ndonjë të papritur të pakëndshme. Në fakt, disa të tilla u kanë ndodhur teksa disa futbollistë që ata kishin piketuar, nuk kanë pranuar të firmosin për Vllazninë. Çota dhe Muçollari, dy prej tyre tashmë janë pjesë e Tiranës. Po ashtu, edhe disa të tjerë kanë pak shanse të realizohen sepse Dushku, Rajoviç e ndonjë tjetër kanë pak shanse të vishen kuqeblu. Grima në prononcimin e tij nuk ka dashur të përmendë emra se cilët janë këta lojtarë. Në fakt, gjatë kësaj periudhe janë përmendur shumë emra si kandidatë të mundshëm për të ardhur tek Vllaznia. Ai ka deklaruar se jo të gjithë ata futbollistë janë kontaktuar, megjithatë e ka pranuar se disa prej emrave që kanë dalë në media, janë të vërtetë si kandidatë të mundshëm për t’u veshur kuqeblu. Begaj thuajse është pjesë e Vllaznisë dhe ka mbetur vetëm firma. Po ashtu, me Shtubinën bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe palët kanë mbetur tek një diferencë prej 5 milionë lekësh të vjetra për të gjetur akordin financiar. Edhe me malazezin Deliç bisedimet duken në rrugën e duhur megjithatë duhen ende blerje. Trajneri Duro ka kërkuar 8 blerje por se cilët do jenë këta futbollistë, kjo mbetet për t’u parë. Gjërat duken shumë të vështira. Vetë trajneri ka deklaruar se në ditën e fillimit të stërvitjes, dëshiron që ta ketë 80 për qind gati ekipin. Dita e fillimit të stërvitjes në fakt nuk është e largët. Brenda një periudhë 10-15 ditore ajo do startojë. Me këtë logjikë, gjërat duhen bërë shpejt në kampin shkodran. Për më tepër, duhen gjendur lojtarët cilësorë sepse pretendimet e Vllaznisë në sezonin e ri do jenë maksimal. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet edhe drejtori Grima kur ka thënë: “Po punojmë fort për të realizuar një merkato sa më cilësore, për sa kohë do të kemi mbështetjen e Presidentit, Këshillit Mbikqyrës dhe të Administratorit të Shoqërisë Aksionere dhe të Bashkisë në përgjithësi, meqenëse jemi në një linjë edhe me opinionin sportdashës dhe tifozërinë kuqeblu për ringritje të fuqishme të Vllaznisë këtë sezon, objektivat janë të qarta. Do të pretendojmë dhe luftojmë për trofe si titullin kampion e Kupën e Shqipërisë dhe me objektiv minimal Kupat e Europës. Shumë shpejt do të vijnë edhe firmat e para të futbollistëve, siç edhe do të fillojë grumbullimi i ekipit për nisjen e punës për sezonin 2012-2013”. Kaq ka thënë ai. Pretendimet duken të larta. Lojtarët ende nuk duken megjithatë të presim. Brenda pak ditësh mund të shihet Vllaznia e ardhshme për të vërtetuar pastaj këto çfarë thonë drejtuesit e saj apo jo.
Gjergj KOLA