Drejtori sportiv I Vllaznisë Armir Grima ka dashur dje të sqarojë njëherë e mirë disa lajme që qarkullojnë në media për lojtarë që mund të ikin nga kjo skuadër dhe të tjerë që mund të vijnë tek Vllaznia. Ai ka folur për Smajlin dhe Da Silvën por po ashtu, është ndalur edhe tek ajo se çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen. Ish-portieri I njohur që mban një post të lartë tashmë në klubin shkodran, është si gjithnjë pjesë e të gjitha lëvizjeve që bëhen në merkato duke qenë I pari që vihet në dijeni dhe pastaj është stafi drejtues që vendos për lëvizjet që duhen bërë.
Smajli. Flamurtari është hedhur në kërkim të lojtarëve më të mirë të kampionatit dhe për merkaton e janarit duket se e ka përqendruar punën tek marrja e dy futbollistëve:Erjon Dushkun dhe Dritan Smajlin. Dy lezhjanët kërkohen me ngulm nga skuadra vlonjate megjithatë ata ndodhen nën kontratë me Tiranën dhe Vllazninë. Dje në media është shkruajtur se bardheblutë për ta lënë të lirë Dushkun, kërkojnë si dëmshpërblim një shumë prej 150 mijë eurosh. Pikërisht për këtë, por edhe për t’I dhënë një përgjigje vlonjatëve, drejtori sportiv I Vllaznisë Armir Grima në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” , do të shprehej: “Po lexoj shpesh këto ditë që Flamurtari kërkon të marrë Smajlin. Jam përgjigjur një ditë dhe po përgjigjem sërish. Smajli nuk është në shitje sepse e konsiderojmë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës sonë”. Por nëse vlonjatët insistojnë për ta marrë, a ka çmim për ta lënë të lirë atë? Kjo është pyetja e rradhës që pason dhe që merr një përgjigje interesante nga ana e drejtorit sportiv të Vllaznisë: “Kam lexuar që Tirana për ta lënë të lirë Dushkun kërkon 150 mijë euro. Ne, për Smajlin do bënim një sakrificë për ta lëshuar për 200 mijë euro. është më I ri se Dushku dhe kuptohet që kushton më shumë. Vetëm për këtë shumë, Flamurtari është I gatshëm ta marrë”. Gjërat janë të qarta dhe besojmë se këtu mbyllet kjo histori. Mbrojtësi I djathtë do të vazhdojë të jetë më së paku në Shkodër deri në fund të këtij sezoni.
Da Silva. Po dje në media ka patur edhe një lajm që fliste për një interesim të Vllaznisë për mbrojtësin Brazilian të Bylisit Da Silvën. Burimet e informacionit thonin që drejtues shkodranë kanë qenë në kontakte me presidentin Kapllanaj në lidhje me këtë çështje. Por në fakt, ai që e hedh poshtë këtë gjë dhe mundësinë e riveshjes kuqeblu të këtij lojtari, është drejtori sportiv Armir Grima. “Për Da Silvën nuk kemi shfaqur asnjë interes për ta marrë. Për rrjedhojë nuk kemi hyrë në bisedime me drejtuesit e Bylisit. Thjesht para pak ditësh na ka telefonuar presidenti Kapllanaj dhe na ka pyetur nëse kemi interes për këtë lojtar. Përgjigja që kemi dhënë dhe po japim sërish është se nuk kemi asnjë lloj interesi për të. Da Silva na ka shkaktuar boll dhimbje koke një vit më parë dhe prandaj nuk e kemi ndër mend t’I rikthehemi sërish pistës së këtij lojtari”- ka thënë ai. Gjërat në këtë mes duken të qarta. Vllaznia nuk ka ndër mend t’I rikthehet kësaj çështje edhe njëherë aq më tepër pas polemikave të mëdha që u shkaktuan mes drjetuesve të saj dhe ish-trajnerit Rudi Vata për këtë lojtar një vit më parë.
Gjergj Kola
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Drejtori Grima: Mbrojtësi Smajli ikën vetëm për 200 mijë euro