Vllaznia ka nisur punën për kompletimin e skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Dalëngadalë kanë filluar edhe firmat e para në kontratë por problemin e madh kjo skuadër e ka në portë. Asaj I mungon një lider mes shtyllave. Kuqebluve u mungon shumë malazezi Miroslav Vujadinoviç I cili I kishte dhuruar jo pak siguri atyre mes katërkëndëshit të portës. Pikërisht për këtë, drejtori sportiv I klubit shkodran Armir Grima, një ish-koleg I këtij portieri, do të tentojë edhe njëherë tjetër të sjellë në Shkodër Vujadinoviç. Këtë gjë ai e ka bërë të ditur në një intervistë për gazeten teksa ka thënë:
-Grima ditë shumë të ngarkuar mesa duket këto të fundit të korrikut për ju. A është vërtetë kështu?
-Kështu është. Vllaznia në fakt I nisi disi me vonesë përgatitjet për sezonin e ri nisur nga ndryshimet në krye të klubit. Në kushte të tilla, na dolën jo pak punë megjithatë kemi filluar të hyjmë në normalitetin e gjërave.
-Shohim që në zyrën tuaj hyjnë e dalin futbollistë njëri pas tjetrit. Kjo do të thotë se po mbyllni kontratat e reja me ta?
-Po, është procedura e zakonshme që bëhet në raste të tilla. Kemi biseduar dhe mbyllur thuajse çdo gjë me shumë prej futbollistëve. Kështu, kanë firmosur sot (dje) kontratat futbollistët Shtubina, Tafili, Baci dhe Semina. Nesër (sot) do të mbyllim çdo gjë edhe me disa lojtarë të tjerë si Gocaj, Sykaj, Rexha e Ramadani. Edhe me këto është rënë dakord për të gjitha pikat e kontratës dhe hedhja e firmës është thjesht një procedurë për t’ u kryer.
-Vllaznia në njëfarë mënyre po merr formën e saj. Kur do të kompletohet ajo plotësisht?
-Ne për këtë po punojmë që ta kompletojmë sa më parë këtë skuadër. Trajneri Canaj po punon me shumë seriozitet për për përzgjedhjen e futbollistëve dhe seleksionimin e tyre. Ata që do jenë pjesë e skuadrës, thuajse kanë mbaruar punë me kontratat. Do shohim rrugës edhe për 2-3 përforcime të tjera cilësore në mënyrë që skuadra të marrë formën e plotë.
-Çfarë ka mbetur tashmë për t’u kompletuar plotësisht?
-Duhet të shohim ndonjë gjë në secilin repart megjithatë më shumë jemi të përqendruar tek porta. Vllaznia ende nuk ka një portier cilësor për ta garantuar atë. Për këtë arsye, do tentojmë deri në fund për të marrë Vujadinoviç. Ai ka lënë përshtypje shumë të mira në Shkodër në tre sezonet që ka luajtur me ne dhe prandaj do të bëjmë çmos për ta rikthyer sërish në skuadër.
-Sa shanse ka që të ndodhë kjo?
-Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet. Ai ka kërkesa të larta financiare të cilat ne e kemi të vështirë t’ia plotësojmë në kushtet aktuale që po kalon klubi, megjithatë do të bëjmë çmos deri në fund për ta bindur atë.
-Ndërkohë dy ndeshje miqësore gjatë kësaj jave për Vllazninë. Sa do t’I shërbejnë ata stafit drejtues?
-Ndeshjet miqësore që zhvillohen në të tilla periudha para nisjes së kampionatit, kanë për qëllim që t’ I ndihmojnë trajnerët për të parë gjendjen e skuadrës. Kështu besoj se këto dy miqësoret e kësaj jave do të na ndihmojnë për të parë gjendjen e saj por edhe për të testuar ndonjë futbollist që ka ardhur për provë tek Vllaznia.
Gjergj KOLA