Dita e parafundit e merkatos së dimrit ka dhuruar edhe ajo suprizat e saj për ekipin e Vllaznisë. Ajo ka arritur të bëjë “pronë” të vetën deri në fund të këtij sezoni dy futbollistë cilësorë. Bëhet fjalë për mbrojtësin malazez Nikolla Vukçeviç dhe mesfushorin serb Milan Nikoliç. Akordi me të dy ata ishte arritur mbrëmjen e së mërkurës dhe paraditen e djeshme kanë mbërritur në Shkodër. Në orën 10.30 të dy futbollistët, sëbashku me drejtorin sportiv Armir Grima, kanë dalë para gazetarëve. Ai që ka folur shumicën e kohës ka qenë drejtori Grima i cili para gazetarëve është shprehur:
“Jam këtu para jush për të bërë prezantimin e dy blerjeve të Vllaznisë në këtë merkato. Ato sigurisht që nuk janë të panjohur për kampionatin shqiptar meqë kanë luajtur edhe më parë këtu dhe meqë ne i njohim vlerat e tyre, vendosëm t’i marrim. Vërtetë kemi provuar disa futbollistë por nuk donim të zgjidhnim sasinë. Deshëm të gjenim cilësinë dhe besoj se ia kemi arritur”- ka thënë ai.I pyetur në lidhje me fatin e kroatit Vedran Jese që ditën e djeshme ishte në Shkodër dhe u tha se ishte shumë pranë firmës, Grima është përgjigjur: “Kjo është mëse e vërtetë se ai ka qenë shumë pranë firmës. Por duhet ta dinë të gjithë se Vllaznia ka nevojë për lojtarë cilësore dhe ajo nuk shërben si trampolinë që futbollistët të ndryshëm të kapin formën e tyre”. Një tjetër pyetje ka qenë ajo në lidhje me mesfushorin tjetër serb që vazhdon provën tek kuqeblutë, Sasha Paunoviç. I pyetur nëse edhe ai do firmoste, drejtori sportiv i Vllaznia ka thënë: “Paunoviç do të shihet edhe në një seancë stërvitore dhe më pas do të vendosim për të nëse do qëndrojë apo jo”. Përforcimet e fundit me Vukçeviç dhe Nikoliç sigurisht që e kanë forcuar skuadrën dhe tashmë Grima mendon se objektivi për të mos rrezikuar rënien është plotësisht i arritshëm, madje pretendimet mund të jenë shumë më të larta. “Ne vërtetë ndodhemi në një zonë të rrezikshme por jo vetëm ne pasi janë shumë skuadra në të tilla pozita. Me këto përforcime, jo vetëm që nuk do rrezikojmë fare por do shohim për më lart si në kampionat ashtu edhe në kupë”- ka thënë drejtori Grima.
© shkodrasport.com