Drejtori sportiv i Vllaznisë, Armir Grima, në një bisedë për gazeten ka deklaruar se nuk ka vend për alarm. Në kampin shkodran nuk ka afrime cilësore, e kjo ka ndikuar jo pak edhe në acarimin e tifozërisë kuqeblu, e cila priste emra cilësorë në merkato. Megjithatë, për drejtorin sportiv e rëndësishme është që grupi që ka nisur këtë fillimsezoni të vazhdojë të punojë fort, në mënyrë që të tregojë një tjetër “fytyrë” në këtë pjesë të dytë të sezonit. “Situata nuk është fort e mirë, por as shumë e keqe. Ne jemi në të njëjtën situatë që kemi qenë.

Skuadra po punon dhe djemtë janë të angazhuar në maksimum. Edhe ata e dinë vetë se sa i vështirë është ky kampionat, kështu që duhet të japin më shumë se 100% në fushë. Vetëm kështu mund ta kalojmë me sukses”, – ka thënë Grima.
Përforcimet Drejtori sportiv ka folur edhe për mungesën e afrimeve cilësore. Ai e ka vënë theksin te mungesa e lojtarëve cilësorë në treg. “Trajneri dhe ne si klub kemi shumë dëshirë ta përforcojmë ekipin aty ku e dimë se jemi keq. Por problemi është se e kemi tepër të vështirë të gjejmë lojtarë. Është një treg që unë nuk di çfarë të them, është i papranueshëm ndoshta për financat tona, por edhe për financat e ekipeve të tjera. Kjo sepse futbollistët sot kërkojnë shuma parash që faktikisht nuk i meritojnë”. Vllaznisë gjatë kësaj periudhe i janë bashkuar edhe tre lojtarë, të cilët do të bëjnë të pamundurën për të kontribuar për të. Si Marku, ashtu dhe Zefi e Shaba janë alternativa mjaft serioze. Buxheti Drejtori Sportiv, Armir Grima, duke përfunduar, nuk ka dashur të diskutojë në asnjë moment sa i përket buxhetit që do të miratohet këto ditë për Vllazninë. Shkodranët po e mbajnë të mbyllur çështjen në fjalë. “Sa i takon buxhetit që do të miratohet nga Këshilli i Bashkisë për këtë vit, them se nuk jam unë personi që duhet të flas për këtë çështje. Baza e Vllaznisë do jenë këta lojtarë që ne kemi aktualisht. Të shohim në ditët në vazhdim, por them se ne e kemi mbështetur këtë ekip, do ta mbështesim sërish dhe do të bazohemi tek ai”.

Admir URUÇI