I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të trajnerëve të rinj të Akademisë Vllaznisë, drejtori sportiv I klubit shkodran Armir Grima nuk ka mundur dot t’ I shmanget interesimit të gazetarëve në lidhje me situatën në të cilën ndodhet ekipi I parë aktualisht në merkato. Ai është ndalur kryesisht tek çështja e dy malazezëve, Vujadinoviç dhe Rajoviç teksa ka fajësuar funksionimin e klubit për moshedhjen e firmës në kohën e duhur me këta dy futbollistë sepse tashmë çdo gjë do ishte mbyllur me ta. Ja si është shprehur para gazetarëve ditën e djeshme drejtori Grima:

-Grima, në çfarë situate ndodhet aktualisht merkatoja e Vllaznisë?
-Më duhet të them se aktualisht jemi të fokusuar tek dy futbollistët malazezë, portierin Vujadinoviç dhe mbrojtësin Rajoviç. Bisedimet me ta kanë qenë shumë të frytshme por për disa arsye proceduriale, ende nuk kemi firmosur me ta. Të shpresojmë se kjo do të bëhet, pavarësisht se ekzistojnë disa vështirëësi në këtë drejtim. Por edhe nëse nuk realizohet marrja e këtyre dy futbollistëve, ne sigurisht që nuk do të ndalemi sepse do shohim për mundësi të tjera në treg për t’ i zëvendësuar ato.
-Konkretisht me cilët lojtarë po kontaktoni?
-Nuk dëshiroj të jap emra sepse vetëm prishim punë. Sapo deklaruam që mbyllëm gjithçka me Vujadinoviç e Rajoviç, ekipe të tjera nxituan t’u prishin mendjen me oferta të ndryshme. Kuptohet që në një situatë të tillë, ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë më shumë se këto ekipe dhe prandaj prishen disa raporte. Për këtë arsye, nuk është e mira të deklarohet asnjëherë për emrat me të cilët jemi në bisedime.
-Të shtunën kur dy futbollistët ishin në Shkodër, deklaruar se akordi u arrit me ta. Çfarë ndodhi më pas?
-është e vërtetë se ditën e shtunë Vujadinoviç dhe Rajoviç kanë qenë në Shkodër dhe kemi biseduar gjatë me ta. Ata ranë plotësisht dakord me kushtet e kontratës që u ofruam dhe ishin të gatshëm të firmosnin kontrata e reja. Por mënyra e funksionimit të klubit tonë është paksa e ngatërruar dhe mungesa e administratorit Gjyrezi I cili ndodhet në Itali për disa probleme shëndetësore, e shtyu hedhjen e firmës në kontrata. Nëse administratori Gjyrezi do kishte qenë present atë ditë në Shkodër këta dy futbollistë tashmë do ishin pjesë e Vllaznisë.
-Çfarë do të ndodhë tani dhe kur mund të ketë një vendim përfundimtar për këta dy futbollistë?
-Besoj se deri nga e enjta apo maksimumi fundi I javës, dy futbollistët ta kenë ndarë mendjen dhe kur të thonë një “po” burrash, do të firmosim menjëherë. Deri në fund të javës besoj se edhe administratori Gjyrezi do jetë kthyer dhe gjithçka do mbyllet me sukses. Jemi të bindur se Vllaznia do të paraqitet denjësisht në sezonin e ri duke besuar deri në fund se do të bëjnë lëvizjet e duhura në merkato.
Gjergj KOLA