
Grima. Duke folur në lidhje me dy blerjet e fundit të klubit shkodran, drejtori sportiv i tij, ai që është marrë pikërisht me gjithçka që ka patur të bëjë me merkaton e kësaj vere, ka vlerësuar të gjitha blerjet e bëra si shumë cilësore. “Sot (dje) siç e shihni po bëjmë prezantimin edhe të një blerje tjetër të Vllaznisë, atë të Osmanit sepse me Shtubinën në fakt kishim mbyllur gjithçka prej tre ditësh. Osmani ka patur kohë që kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Vllaznisë por për arsye të ndryshme vetëm tani kjo është bërë realitet dhe besojmë se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Shtubina ndërkohë është kthyer në shtëpinë e vet në kuadrin e përpjekjeve që kemi bërë për të kthyer gjithë futbollistët shkodranë që luajnë me skuadrat e tjera. Jam i mendimit se deri afër sulmit jemi krejtësisht në rregull tashmë dhe pritet vetëm ardhja e një sulmuesi cilësor për ta mbyllur merkaton. Edhe me Dragoin kemi mbyllur gjithçka dhe pritet ardhja e tij në Shqipëri për të firmosur dhe . për të nisur stërvitjen me ekipin. Sa i takon emrit të sulmuesit, është e vërtetë se fliten shumë emra. Ne jemi në kontakte përditë dhe po i studiojmë të gjitha mundësitë. Jam i bindur se edhe në sulm kemi për të bërë zgjedhjen e duhur. Të gjithë këto përforcime cilësore që po bëjmë, e kanë një objektiv: të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe pretendente për fitimin e trofeve”-ka thënë Grima për gazetarët.
Osmani. Pas Grimës, ka folur edhe blerja e fundit të kuqebluve. Tefik Osmani e ka konsideruar privilegj veshjen e fanellës së Vllaznisë dhe ka premtuar se do bëjë më të mirën për të. “Të them të drejtën, të luash në Shkodër për mua ka qenë privilegj gjithnjë edhe kur kam ardhur këtu si kundërshtar. Tashmë jam pjesë e Vllaznisë, e këtij klubi me traditë dhe sigurisht që është privilegj për mua. Natyrisht do bëj çmos për të justifikuar besimin që drejtuesit e klubit kanë treguar tek mua. Një nga arsyet pse unë firmosa me këtë skuadër është padyshim edhe këmbëngulja e Smajlit që e kam shumë mik. Po ashtu edhe me Grimën kemi marëdhënie të mira prej kohësh, shtoju këtyre edhe disa arsye të tjera dhe të gjitha sëbashku bënë që unë të pranoj ofertën e Vllaznisë dhe tashmë të jem pjesë e saj”-ka thënë blerja më e fundit e shkodranëve.
Shtubina. Pas Osmanit ka folur edhe Shtubina. Natyrisht si “i shtëpisë” ka dalë edhe tek një aspekt tjetër shumë interesant në fjalën e tij kur ka thënë: “Kthehem tek Vllaznia, skuadra ku u bëra futbollist dhe sigurisht që jam shumë i kënaqur. Po shoh që pretendimet e klubit këtë sezon janë vërtetë të larta dhe kjo vërtetohet më së miri nga emrat e lojtarëve që po firmosin përditë me të. është gjynah edhe për ne lojtarët të mos e justifikojmë gjithë këtë besim që na është dhënë për t’ia shpërblyer kësaj skuadre me emër të madh në futbollin shqiptar. Unë shpresoj shumë që edhe tifozët e Vllaznisë të rikthehen sërish në shkallët e stadiumit dhe të na mbështesin”.
Objektivat. Me Osmanin dhe Shtubinën por edhe rumunin Dragoi në ardhje, Vllaznia tashmë duket e plotë për të nisur sezonin e ri. Pritet vetëm ardhja e një sulmuesi cilësor për të kompletuar merkaton kuqeblu të këtij sezoni e cila ka dhënë shenja të mira për një skuadër me pretendime në sezonin e ri. Një skuadër e cila sivjet është treguar shumë racionale në merkato. Ka marrë deri tani shtatë lojtarë cilësorë dhe ajo çka është më e rëndësishmja, kostoja financiare e shpenzuar për to nuk ka qenë në shifra të larta. Drejtuesit e Vllaznisë janë treguar “mjeshtër” të vërtetë në këtë drejtim megjithatë duhet parë tashmë ecuria e ekipit pas nisjes së ndeshjeve zyrtare.
Gjergj KOLA