Prej tetë ditësh kroatin Neven Plantak ka nisur punë si trajner në krye të ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe atij i është ngarkuar një detyrë e vështirë e ngritjes së këtij ekipi në atë nivel që duhet të jetë. Besimi është i madh tek ai dhe jo më kot është përzgjedhur sepse i ka aftësitë për ta bërë këtë gjë.

Ka qenë drejtori teknik Altin Halili ai që ka shpjeguar mënyrën si u përzgjodh ky trajner dhe cilat janë karakteristikat e punës së tij. “Trajneri është studiuar në detaje për karakteristikat e tij dhe mendoj se është i duhur për situata aktuale si kjo që po kalon Vllaznia.

Ai ka një disiplinë të fortë, ka dëshirë të ketë rregull në ekip, por edhe mjaft i disiplinuar në anën tekniko-taktike. Para se ta merrnim Plantak, e kemi studiuar gjatë atë.

Jemi konsultuar me menaxherë dhe njerëz të kësaj fushe dhe përveç tij, janë studiuar edhe dy të tjerë. Madje Plantak ka qenë realisht i treti në listë por në fund, u bindëm se ai duhej të ishte trajneri jonë dhe e gjetëm akordin.

Besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe me të, do të arrijmë ta nxjerrim Vllazninë nga situata ku ndodhet aktualisht”- ka thënë krahu i djathtë i presidentit Xhaferi.
© shkodrasport.com