Ecuria e ekipeve të Akademisë Vllaznia edhe sivjet duket e mbarë. Vllaznia U-19 e ka mbyllur fazën e dytë të kampionatit në vendin e parë e po ashtu ajo U-17 në vendin e dytë.

Të dy ekipet duken pretendente për titullin kampion por jo vetëm kaq. Objektivi i Akademisë Vllaznia siç është bërë e ditur është nxjerrja e lojtarëve cilësorë për ekipin e parë të Vllaznisë por edhe për ekipet kombëtare.

Këtë gjë thotë edhe drejtori i saj Qashif Hoxha kur për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Ne vazhdojmë punën tonë për të arritur objektivat që kemi, të luajmë bukur, të fitojmë dhe të nxjerrim elementë cilësorë.

Fakti që në kombëtaren U-21 janë aktualisht 5 futbollistë të dalë nga Akademia Vllaznia, të datëlindjeve 1996 dhe 1997, e tregon më së miri këtë gjë.

Kjo gjë na kënaq dhe na jep më shumë motiv për të vazhduar përpara”. Por nga ana tjetër Hoxha shpreh edhe një pakënaqësi për diçka tjetër prandaj shton:

“Ajo që më bën përshtypje është se në kombëtaren U-19 nga 10 futbollistët e grumbulluar nga kampionati shqiptar, nuk është asnjë nga Vllaznia U-19 kur duhej të ishin së paku 2-3 prej tyre.

E them këtë sepse ne i shohim çdo javë ndeshjet, shohim elementin që kanë këto ekipe dhe kurrsesi nuk janë më lart se ato të ekipit tonë.

Të mos harrojmë se Vllaznia U-19 ka fituar Kupën e Shqipërisë këtë sezon, pretendon edhe titullin kampion dhe ka një ecuri të shkëlqyer prej 10 fitoresh në ndeshjet e fundit të kampionatit dhe 4 në ato të kupës.

Fitore këto që nuk kanë ardhur rastësisht por falë lojtarëve të mira që ka bërë ky ekip me futbollistët e tij.

Prandaj drejtuesit e klubit Vllaznia duhet ta ngrenë zërin në Federatë për këtë gjë sepse u takon edhe lojtarëve të këtij ekipi të jenë në kombëtare sepse e meritojnë”.
© shkodrasport.com