Humbja me Tiranën ka sjellë zhgënjim të madh te Skënderbeu, që priste të rihapte garën në atë ndeshje, duke ngushtuar diferencën me rivalët e mbijetesës. Ajo disfatë tashmë ka trazuar jo pak ujërat në kampin bardhekuq, jo vetëm se vështirëson objektivin, por edhe për mënyrën si u pësua.
Drejtuesit e ekipit korçar e kanë konsideruar të pamerituar humbjen, në raport me lojën që u zhvillua në fushë. Trajneri Gjoka dhe drejtori sportiv Gjançi kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me gjykimin. Nëse trajneri Gjoka u ankua për mungesën e një penalltie në favor dhe dhënien e asaj kundër, drejtori Ardi Gjançi ka shkuar edhe më tej.
Me një postim në profilin e tij zyrtar ai akuzon për plane të ngritura kundër Skënderbeut, teksa specifikon se llogaritë nuk kanë për të dalë ashtu siç e mendojnë palët e treta. Ai nuk e përmend “palën” e akuzuar me emër, por aludon për makinacione në dëm të bardhekuqve. “Llogaritë nuk kanë për t’u dalë kaq kollaj.
Mos harroni, ne jemi Skënderbeu. Deri në fund”, shkruan drejtori sportiv i ekipit juglindor në profilin e tij. Një mesazh i koduar ky nga ana e drejtuesit të klubit bardhekuq, por që mund të kuptohet lehtë se është për rivalët e korçarëve.