Metzi duket se ka vendosur t’i japë kohë Skukës për t’u përshtatur dhe po mundohet ta integrojë dalëngadalë me futbollin francez.
Së fundmi për “Moselle.tv” ka folur drejtori sportiv i Metzit, Pier Dreosi, i cili pranon se Skuka nuk është ende gati dhe se dibrani është një formë basti për të ardhmen. Megjithatë, ai ka besim se do të ambientohet shpejt me futbollin francez.
“Kemi ngulmuar për të gjetur një sulmues dhe ju e dini se në janar nuk është aspak e lehtë. Na duhej një sulmues që mund të forcojë ekipin tonë. Skuka nuk është ende gati për të luajtur në Francë. Ishte një informacion që duhej ditur dhe ne e dinim që në fillim.
Shpresojmë që ai do të përgatitet sa më shpejt dhe ambientimi të mos zgjasë shumë. Xhuliano është një lloj basti për të ardhmen. Nuk po flasim për një vit apo dy, por mund të ndodhë edhe javën e ardhshme. Duhet të përshtatet me futbollin francez, që është larg atij shqiptar.
Por Skuka ka shumë grintë dhe kjo do t’i lehtësojë përshtatjen. Ai mund të përshtatet shpejt. Flet frëngjisht… Ka gjithçka që i nevojitet për të pasur sukses, por kur vjen situata te fjala ‘kur’, këtu është e gjithë pasiguria në futboll”, tha Pier Dreosi.