Nëse për tifozët shqiptarë vizita e një skuadre si Volfsburgu për një ndeshje në Ligën e Europës është një eveniment që kujtohet gjatë, duket se te skuadra gjermane nuk e shohin me kaq entuziazëm udhëtimin drejt Shqipërisë.

Vetë drejtori sportiv i skuadrës së Bundesligës, Jorg Shmadke, ka folur hapur kundër UEFA-s për mënyrën se si po rrezikon ekipin, duke e dërguar në një zonë të rrezikuar nga koronavirusi. Gjermania e cilëson Shqipërinë si një nga zonat e kuqe në Europë e ky është mendimi i parë që shqetësonte drejtuesin e klubit gjerman para udhëtimit drejt vendit tonë.

“Normalisht, nuk duhet të dërgosh me ndërgjegje të plotë dikë në një zonë të rrezikshmërisë së lartë. Por kjo është ajo që po ndodh me ndeshjen e Ligës së Europës në Shqipëri. Ajo është një zonë e rrezikshëmrisë së lartë. Dhe ne duhet që të shkojmë atje të përballemi me detyrimet që kemi”, tha ai në një intervistë në mediat gjermane.

Ndërkohë, trajneri Oliver Glasner e sheh situatën me pak më shumë optimizëm e qetësi. “Sigurisht, nuk mund të injorosh plotësisht rrezikun nga pikëpamja shëndetësore. Por gjysma e Europës është zonë e rrezikshme dhe është pjesë e lojës që duhet të udhëtosh në një rajon të tillë në një turne si Liga e Europës”, theksoi trajneri i klubit gjerman pak para se të nisej drejt vendit tonë.