Tefik Osmani drejtor sportiv ndryshon shumë nga Tefik Osmani lojtar. Nuk ka më batuta (ndonjë shumë të rrallë), por seriozitet, siç e kërkon profili i një zyrtari të rëndësishëm, aq më tepër kur të besojnë klube të mëdha të futbollit shqiptar, siç janë Tirana dhe Vllaznia.TEFIK OSMANISuksesin e dyfishtë që pati me Tiranën pak vite më parë, ku fitoi titullin kampion dhe i solli klubit të ardhura të konsiderueshme nga shitja e disa lojtarëve, korçari kërkon ta përsërisë tani në Shkodër me Vllazninë.

Fillimi i këtij sezoni është i mbarë për Vllazninë e fushës dhe për vetë Osmanin: vendi i parë në tabelën e renditjes dhe dy shitje (Smajli dhe Alivoda). Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i kuqebluve flet për startin pozitiv të Vllaznisë, por në çdo moment është me “këmbë në tokë”, duke larguar euforinë, që në Shkodër ka qenë gjithmonë “virus” i rrezikshëm. Ai ia la gjithçka kohës, por nuk fshihet kur flet për forcën e Vllaznisë.


Kryesim i Superiores pas 6 javësh, me 13 pikë. Një nisje sipas planeve për Vllazninë, apo më mirë se çfarë e prisnit?

Që të jem më “këmbë në tokë”, mendoj se kemi punuar shumë dhe kemi qenë të bindur që ky ekip do të jetë mes katër të parëve në renditjen e Superiores.


Balaj duket si vera, por a mund të themi se skuadra ka krijuar varësi prej tij?

Balaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin tonë, është një shembull për të gjithë. Plus që po e tregon me vepra në fushë. A jemi në varësi të tij…? Ishalla nuk na mungon asnjëherë, por le t’ia lëmë kohës të flasë më mirë. Mua kështu më pëlqen, pasi koha tregon gjithçka. Jam kritikuar që nuk kam blerë lojtarë sulmues, por sot më duket se po flasim për Dodajn dhe Delajn…

Duket se keni gjetur formulën e duhur për të pasur një skuadër kompetitive dhe njëkohësisht me të rinj vendës në formacion, apo me një minutazh të caktuar. Ku qëndron çelësi i suksesit në këtë pikë?

Kjo është diçka që e kam nisur që te Tirana, që të kemi një grup miks me lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj. Dua të falënderoj lojtarët me eksperiencë për këtë pjesë, sepse i kanë mbështetur të rinjtë deri tani, por duhet të vazhdojnë akoma me mirë të mendojnë kur kanë qenë vet ata të rinj.