Tërbuni e mbylli fazën e parë me fitore dhe në vend të katërt. Ky pozicion nuk konsiderohet i favorshëm nga pukjanët që kërkojnë të ngjiten një kategori më lart. Gjithsesi, ata nuk i kanë humbur shpresat se do t’ia dalin.

Në një prononcim të dhënë për mediat, drejtori teknik i kësaj skuadr Alfred Pjetri u shpreh: “I kemi pasur të gjitha mundësitë për të qenë në vendet e para, por gabimet e bëra na ndëshkuan me lënien e pikëve.

Ne si drejtues, së bashku me kryebashkiakun Rrok Dodaj, që i gjendet pranë ekipit me kontributin e tij, jemi në bisedime për të përforcuar ekipin me lojtarë cilësorë aty ku kemi nevojë. Tërbuni do të vazhdojë të stërvitet nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi deri në fund të muajit për të rifilluar menjëherë pas festave të fundvitit.

Kemi piketuar disa lojtarë dhe një qendërmbrojtës dhe një mesfushor nga tregu i huaj do t’i bashkohen ekipit së shpejti. Ndërsa në janar do të afrohen dhe të tjerë, por gjithmonë duke ruajtur boshtin e skuadrës”.

Megjithatë për momentin i konfirmuar është vetëm largimi i kapitenit Vildan Kaçubela i cili ka lënë Tërbunin, për të kaluar tek Ilira e Fushë Krujës për gjysmën e dytë të sezonit./www.shkodrasport.com/