Skuadra e Veleçikut pësoi humbjen e parë javën që shkoi në “Reshit Rusi” ndaj Besëlidhjes dhe kjo ua ka prishur disi planet koplikasve. Ata kanë zhvilluar analizën e kësaj ndeshje ku lojtarët por edhe pjestarët e stafit teknik kanë pranuar gabimet.

Sakaq për mediat ka folur drejtori teknik Nuri Rexha i cili është shprehur: “Veleçiku do ta realizojë objektivin për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë. Do ia dalim me gjithë aferat dhe trysnitë që vijnë nga FSHF duke na ndëshkuar me dënime të vazhdueshme.

Jemi ndëshkuar me disa penallti të dyshimta dhe me dënimin e futbollistëve cilësorë. Ne jemi Malësia e Madhe dhe futbollin e kemi traditë prandaj kërkojmë të luajmë burrërisht dhe me korrektësi këtë lojë”.

Ndërkohë, Veleçiku këtë javë do të luajë në transfertën e Fushë- Krujës ku do të përballet me Ilirinë vendase. Padyshim që edhe në këtë sfidë koplikasit do të kërkojnë të marrin pikë sepse vetëm kështu mund të arrijnë objektivin që kanë, qëndrimin në kategorinë e parë.
© shkodrasport.com