Për më tepër se dy javë, Egnatia vijon fazën përgatitore verore në Ohër. Kështu, paralelisht me stërvitjet në kushte ideale dhe me ngarkesat e duhura që kërkon kjo periudhë, edhe programi i ndeshjeve miqësore të planfikuara, ka nisur të japë efektet e duhura.Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori shkodran i Egnatias, Ndriçim Shtubina u shpreh se miqësoret po i shërbejnë më së miri konsolidimit të skuadrës rrogozhinase.
Më tej, Shtubina tregon optimizmin e tij dhe jo vetëm që ky moment para startit të sezonit të ri, i ka shërbyer së tepërmi ekipit rrogozhinas, me gjithë ndryshimet pothuajse rrënjësore në organikën e skuadrës, që të shfaqë një profil sa ambicioz po aq dhe interesant.
Drejtori shkodran u shpreh se kryesore është të shpërblehet investimi i bërë nga presidenti Agim Demrozi, ndërsa theksoi se Egnatia është top në sulm.
“Në funksion të gjithçkaje për ne, është të shpërblehet investimi i bërë pa reshtur për skuadrën nga presidenti i saj z. Agim Demrozi. Fitorja e pastër dhe e thellë me Ohrin, barazimi me Pobedën, ku loja më shumë foli për ne, sikurse fitorja minimale ndaj Teutës në Pogradec pasditen e së dielës, tashmë krijuan përshtypjen e palëkundur se zgjedhjet e bëra për formacionin po i japin të drejtë trajnerit Edlir Tetova që të mendojë më shtruar mbi konsolidimin e lojës në të tre repartet.
Kongolezi 32-vjeçar me shumë përvojë, Dzon Delarge, duket sikur ka rigjetur besimin për golat. Ai shënoi dy herë ndaj Strugës dhe humbi edhe një 11-metërsh kur rezultati ishte 2-4 dhe mund të kishte rihapur sërish ndeshjen. Megjithatë, krahas tij është edhe italiani Edoardo Pesciallo me moshë të re 20-vjeçare që po shfaq nuhatje dhe ka arritur të shënojë edhe ai dy gola. Një ndaj Ohrit edhe një ndaj Pobedës.
Në fitoren e pastër me Ohrin, dy prej golave i realizoi Ilir Camaj. Sulmuesi i ardhur nga Tuzi duhet thënë se ka treguar formë të mirë edhe në miqësoren e fundit me Teutën, pavarësisht se shpërdoroi edhe 2-3 raste të “qëruara” para portës durrsake. Megjithatë jep premisa se do të jetë një prej opsioneve nga ku sulmi i Egnatias do të gjejë më shumë konkretizime të aksioneve.
Braziliani 26-vjeçar Fernando Medeiros që shënoi nga pika e bardhë e 11- metërshit në limitin e kohës shtesë të takimit me Teutën dhe u dha fitoren rrogozhinasve apo 21-vjeçari kavajas Flavio Meçja me lëvizshmërinë, shpejtësinë dhe aftësitë goditëse të portës, sjellin një rivalitet për të pasur Egnatia gjithnjë e më shumë alternativa në repartin e sulmit.
Poashtu, krahas emrave që cituam dhe që kanë shënuar në katër miqësoret e luajtura, duket se me futbollistë të tjerë sulmues apo edhe me futbollistë që mbështesin nga vija e dytë, nga mesfusha apo edhe nga reparti defensiv, se manovra e Egnatias ka më tepër frymëmarrje dhe kjo do të ndihmojë që skuadra të mos e përjetojë aspak “krizën” e golit dhe të rezultateve edhe në ndeshjet e kampionatit, që dihet, janë shumë herë më të ndryshme dhe më të forta sesa ndeshjet miqësore. Megjithatë, këto të fundit e kanë dhënë më shumë se një sinjal inkurajues për ne”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori shkodran i Egnatias, Ndriçim Shtubina.
Maringlen ZHIVANI