Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Eugent Zeka ka folur për median italiane “Zonacalcio.net”, duke prekur disa tema të rëndësishme të futbollit shqiptar, përfshirë rënien e Tiranës në Kategorinë e Parë, Kombëtaren, trajnerin Kristian Panuçi, si dhe ndryshimet mes këtij të fundit dhe paraardhësit të tij në stolin e Shqipërisë, De Biasit.

“Pas rënies në Kategorinë e Parë, jam i sigurt se Tirana do të ngjitet në fund të këtij sezoni në Superligë. Do të rikthehet sërish si protagoniste kryesore në elitën e futbollit shqiptar”, tha Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Eugent Zeka, i cili është pyetur edhe për prezencën e një emri të madh të futbollit europian në Shqipëri, pikërisht Ze Maria, trajneri i Tiranës.
“Duhet vlerësuar jo vetëm për kapacitetin profesional që ka, por edhe për kurajon dhe dëshirën që ka pasur për të drejtuar një ekip me shumë histori në Shqipëri”, u shpreh Zeka për trajnerin e 24 herë kampionëve të vendit, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Interit si futbollist.Për sa i përket trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi, Zeka u shpreh: “Po e ngre çdo ditë e më shumë nivelin e skuadrës sonë përfaqësuese. I ka dhënë besim dhe stimuj Kombëtares së Shqipërisë, që në ditën e parë që ka ardhur”. Në krahasimin e tij mes Panuçit dhe De Biasit, Drejtori Sportiv i Vllaznisë deklaron: “Janë të dy trajnerë që vijnë nga shkolla më e mirë e trajningut, ajo italiane, prandaj diferencat nuk janë shumë të mëdha. Eksperienca që De Biasi ka pasur në të shkuarën në disa skuadra, e ka bërë më racionale dhe të ekuilibruar punën e tij”.
Në lidhje me zhvillimin e futbollit të moshave, Zeka shprehet i bindur: “Projektet për rritjen dhe formimin e talenteve në Shqipëri është në hapat e duhur. Në Shqipëri nuk mungojnë talentet. FSHF-ja po investon shumë në strukturat sportive, sidomos te të rinjtë”.

© shkodrasport.com